
Grupi i Enkelejd Alibeajt nuk ka humbur kohë dhe ka ankimuar vendimin e marrë nga Komisioneri Publik, i cili bllokoi regjistrimin e PD në zgjedhje.
Celibashi deklaroi se deklarata solemne për angazhimin në zgjedhje duhet të firmoset nga kryetari dhe në gjykatë kryetar figuron Lulzim Basha. Por përfaqësuesi i Alibeajt në KQZ, Indrit Sefa u shpreh se Basha është dorëhequr dhe nuk ka çfarë të firmosë. Por Celibashi u shpreh se pa firmën e tij PD nuk futet dot në zgjedhje.
Por zoti Sefa rreth një orë më pas ju drejtua Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve. Ai ka ankimuar vendimin, duke kërkuar rrëzimin e tij dhe regjistrimin e PD në zgjedhje.
“Në kuptimin që i ka dhënë dispozitës ligjore Komisioneri, duke e konsideruar Deklaratën si një akt individual dhe personal, rezulton se në rrethana të caktuara objektive, për shkak të mungesës së Kryetarit, partia politike të mos ushtrojë një nga qëllimet e ekzistencës së saj, që është pjesëmarrja në zgjedhje. Kjo do të përbënte një cënim të parimeve themelore të zgjedhjeve, ku konkurueshmëria është një nga themelet e këtyre parimeve. Duke i dhënë një kuptim të ngurtë dispozitës, praktikisht Komisioneri nuk ka mbajtur në konsideratë qëllimin deklarativ që ka ai deklarim, duke mos shërbyer në asnjë rast si pengesë për pjesëmarrjen në zgjedhje, për shkak se ato angazhime të perënduara në deklaratë, janë në fakt rregulla të parashikuara nga legjislaiconi në fuqi dhe që sjellin pasoja sipas atij kuadri ligjor, për çdo person të përfshirë në praktikën kriminale që lidhet me financimin e paligjshëm apo përdorimin e parave të pista në fushatat zgjedhore”, thuhet në ankimimin e PD.
Sipas zotit Sefa, Partia Demokratike e Shqipërisë ka përmbushur kërkesën e shkronjës "e", pika 2 të nenit 64 të Kodit Zgjedhor, sa kohë ka dorëzuar dhe ka marrë përsipër angazhimin solemn për refuzimin për të marrë pjesë në praktika të blerjes së votës, marrjes së financimeve apo përfitimeve të kundërligjshme, veçanërisht nga ato që vijnë nga aktivitete kriminale, si dhe përkushtimin për të konkurruar në zgjedhje në mënyrë të ndershme dhe me integritet, nëpërmjet personit të autorizuar ligjërisht, nga organi i caktuar nga ligji, në mungesë të tij.
Lini një Përgjigje