Por SPAK dhe agjentët e FBI që janë brenda SPAK-ut e BKH-së, nuk do heqin dorë nga marrja në pyetje e Edi Ramës e madje së shpejti, për landfillet, koncesionet në shëndetësi, kontratat e pasurive me “1 Euro”, pasuritë e dhëna me termin “Investitor Strategjik”, për lidhjet me çështjet “McGonigal”, “Luftar Hysa”...
Më 8 korrik 2024, “Pamfleti” publikoi faktin, që SPAK më 5 korrik i dërgoi Edi Ramës, një shkresë zyrtare “Njoftim-Thirrje Paraprake”, me të cilën e vuri në dijeni, se do pyetej në funksion të hetimeve për disa çështje penale, që kanë lidhje me detyrën e tij si kryeministër.
Kjo thirrje, Edi Ramës iu dërgua 24 orë pas arrestimit të ish-ministrit Ilir Beqja, gjë që tregon se SPAK me veprimet hetimore për dosjet penale dhe procedurat në funksion të tyre, është ngjitur në majën e kupolës qeveritare.
SPAK i kërkoi kryeministrit Edi Rama, që në vartësi të agjendës së pashmangshme protokollare brenda apo jashtë Shqipërisë, të vihej në dispozicion të SPAK brenda datës 25 korrik 2024, për të dhënë dëshmi lidhur me disa çështje nën hetim, shoqëruar me një ekstrat pyetjesh paraprake.
Sipas informacionit, Edi Rama do pyetet për landfillet, koncesionet në shëndetësi, kontratat e pasurive me “1 Euro”, pasuritë e dhëna me termin “Investitor Strategjik” dhe për lidhjet me çështjet “Mc Gonigal” e “Luftar Hysa”.
Por sipas informacionit, Edi Rama ka refuzuar paraqitjen për dhënien e dëshmive, megjithëse iu la 20 ditë kohë në dispozicion, për të krijuar mundësinë e kontaktit në SPAK e BKH, ose në zyrën e tij në kryeministri, siç e përcakton ligji dhe këtë alternativë për drejtuesit e lartë shtetëror.
Por zyra e kryeministrit, i ka kthyer përgjigje drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, se kryeministri Edi Rama, nuk mund ta zbatojë kërkesën e organit hetimor gjatë një afati të pa caktuar kohor, për arsye se ka agjendë të ngarkuar ndërkombëtare brenda e jashtë Shqipërisë.
Në përgjigjen e zyrës së Edi Ramës, thuhet se, për pyetjet që i janë dërguar paraprakisht, do autorizojë sekretarin Ëngjëll Agaçi të përgjigjet me shkrim në emër të kryeministrisë, kur Edi Rama është thirrur të merret në pyetje si kryeministër.
SPAK i ka kthyer menjëherë përgjigje, duke i thënë, se nuk kanë thirrur për pyetje institucionin e kryeministrisë dhe as sekretarin e Përgjithshëm, por kryeministrin me prezencë fizike.
Kryeministri Edi Rama, do pyetet nga 2 hetues të BKH në prezencë të drejtuesit të SPAK, Altin Dumani dhe një përfaqësuesi të FBI, që është pjesë e BKH e SPAK vetëm me tagër ekspertize, mbikëqyrjeje e asistimi në seanca pyetjesh kur e gjykojnë të arsyeshme.
Seanca e pyetjeve të Edi Ramës, për shkak të imunitetit si kryeministër, mund të bëhet në mjediset e kryeministrisë, gjë e cila do vendoset nga palët, ndërsa afati fundor i marrjes në pyetje ishte data 25 korrik, por Edi Rama iu shmang duke përdorur marifete prej dredharaku e frikacaku.
Kujtojmë, se më 1 shkurt 2024, sekretari Engjëll Agaçi, me urdhër të Edi Ramës, urdhëroi shërbimet e kryeministrisë dhe ministrat, të mos pranojnë në zyra hetuesit e BKH; ndërsa dy muaj më parë vetë Edi Rama, nuk i lejoji hetuesit e BKH-së të futeshin në kryeministri, ku kishin shkuar për ta marrë në pyetje.
Sipas informacionit, SPAK dhe agjentët e FBI që janë brenda SPAK-ut e BKH-së, nuk do heqin dorë nga marrja në pyetje e Edi Ramës e madje së shpejti./Pamfleti
Lini një Përgjigje