Sekretari i Përgjithshëm i kryeministrisë, njeriu i punëve të pista, Engjëll Agaçi u “zbulua” nga Fatos Nano që e mori si avokat kundër një gazete italiane, por mbetet mister si u “peshkua” nga kryeministri aktual. Si mori frenat e shtetit, menaxhimin e gjithë anës ekonomike dhe politike të qeverisjes, ministrave, agjencive të shumta dhe drejtësisë, njeriu që akuzohet për mbrojtjen e trafikantëve të drogës në Itali, presionin ndaj gjyqtarit të Strasburgut në kurriz të pronarëve, përfitimin e fondeve publike nga tenderat e deri te donacionet për shtresat në nevojë. Çfarë dinte ish shoferi i tij dhe i Fatmir Xhafajt për punët e pista dhe pse u vra në garazhin e Ministrisë së Brendshme
Nëse përmend emrin e Engjëll Agaçit në një shpjegim të çfarëdoshëm për punët e qeverisë dhe të shtetit, zëre se i ke thënë të gjitha.
E themi këtë, pasi Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë është më shumë se kaq, ai ka në dorë të gjitha punët e shtetit dhe është i përzierë në të gjitha kulisat që prodhon pushteti.
Agaçin e cilësojnë madje dhe “engjëllin” e kryeministrit Edi Rama, pasi për të gjitha punët e pista ose jo që kërkon t’ju japë drejtim, ai zgjedh pikërisht njeriun më të afërt të tij, Sekretarin e Përgjithshëm.
Nuk ka këshilltar, as shef protokolli, as qeveritarë, as numër dy të qeverisë apo të partisë, që Rama ta marrë me vete në të gjitha evenimentet, politike apo qeveritare. Eshtë vetëm Agaçi.
Po kush është në të vërtetë Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë që ka në dorë të gjitha fijet e dukshme dhe të padukshme që lëvizin “zemrekun” e vetë shtetit shqiptar.
Një ish dhjetorist i Universitetit Bujqësor Kamzë, në vitin 1990 ai doli jashtë vendit për t’u shkolluar e punuar, duke marrë licencën e avokatit, ku dhe do të mbronte në fillim “çerrat” e trafikut të drogës në Itali, e më pas “peshat e rënda” të këtij trafiku.
Të dënuarit shqiptarë por dhe italianë e shpërblyen rëndshëm Agaçin për mbrojtjen që u ka bërë nëpër gjykatat italiane, duke bërë sekserin mes tyre dhe elementëve të inkriminuar në drejtësinë e vendit fqinj dhe përfituar shuma marramendëse parash.
U “rehabilitua” politikisht pasi ka qenë avokat mbrojtës i ish-kryeministrit socialist Fatos Nano në një gjyq për shpifje kundër mediave italiane të Grupit “L’Espresso” dhe “L’Unità”, gjyq që Agaçi e ka fituar në favor të ish kryeministrit.

Mbetet mister se ku e “peshkoi” Rama këtë njeri, por në mënyrë të rrufeshme Agaçi mori në dorë frenat e shtetit dhe tashmë realisht qëndron prapa të gjithë vendimeve të kryeministrit.
Si fillim Agaçi u kujdes për anën ekonomike, duke marrë në dorë emërimin e të gjithë sekretarëve të Përgjithshëm nëpër ministri, të cilët kanë në dorë drejtimin e administratës, orientimin e tenderave të mëdhenj, e deri tek “qokat” e tjera miliona euroshe.
Në të dyja mandatet, Sekretarët e përgjithshëm kanë qënë ose miq të tij dhe rrethi i ngushtë familjar, ose ndihmësa të tij në kabinetin e kryeministrit Edi Rama.
S’është rastësi që Genc Gjonçaj, Geraldina Prodani, Plarent Ndreca, Arjan Kraja dhe emra të tjerë lëvizin nga një ministri me lekë në një ministri tjetër apo dhe në kryeministri në pritje të ndonjë emërimi të ri, duke qënë kështu “dora” e zgjatur e Agaçit në të gjitha dikasteret.
Por nuk është mjaftuar me kaq Agaçi, i cili nuk i ka vënë rastësisht katër shtëpi, një në Romë, një në Tiranë, një në Qeparo dhe një në Roskovec, pasi u “konvertua” në rom thjeshtë dhe vetëm për të marrë financim nga bashkia e këtij qyteti, i njohur për pazarin e tij të famshëm.
Ndërkohë që nuk vihen në “kandar” pasuritë e tjera të familjes Agaçi, i cili për “hir” të kombit dhe të shërbimit ndaj Shqipërisë, la një jetë mondane dhe punë shumë të paguar në Itali, duke u rikthyer në Shqipëri pas 23 vitesh.
Emri i Agaçit u bë i njohur pas presionit që ushtroi ndaj Ledi Biankut, gjykatës në atë kohë pranë Gjykatës të Drejtave të Njeriut në Strasburg, përmes nënkryetarit aktual të KQZ, Denar Biba.
Një audio regjistrim ku dëgjohet qartë se si gjyqtari shqiptar në Strasburg, Bianku, shantazhohet në emër të Agaçit, krahut të djathtë të Ramës, që të ndikojë vendimet e pronave në favor të qeverisë, është prova më e qartë që e tregon qeverinë e Edi Ramës si një organizatë tipike mafioze.
Sipas regjistrimit audio të publikuar nga media, Biba, në emër të Agaçit, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, ka shantazhuar gjyqtarin shqiptar në Strasburg, që të bëjë kompromis me qeverinë në kurriz të të drejtave të pronarëve shqiptarë.
Kërcënimi është i qartë: Nëse nuk zbaton porosinë e Ramës “pas përfundimit të mandatit do të mbetej pa punë dhe se sakrifica për të zbatuar me korrektësi ligjin nuk do t’i shërbejë për asgjë”.
Me këtë gjuhë tipike mafioze, i dërguari i Agaçit, i kujton gjyqtarit shqiptar në Strasburg se: “ky tren, pra mundësia për të bërë pazar me Qeverinë, nuk do t’i vijë më në jetë”.
Në atë periudhë një lajm i tillë krijoi tronditje, por me kalimin e kohës dhe “dorovisë” së radhës për politikën dhe për median, gjithçka u harrua dhe u shua sikur të mos kishte ndodhur asgjë, ndërkohë që në çdo vend të botës nëse do të kishte ndodhur një akt i tillë, dikush do të ishte përballë drejtësisë.
Ndërkohë që Agaçi është pas çdo tenderi që organizohet në Shqipëri, është drejtuesi real i të gjitha angjencive në vend, por dhe “menaxhon” ministrat e kabinetit qeveritar në “këmbë” të Ramës, ai është kujdesur dhe për të pasur në dorë dhe drejtësinë. Ku ka zgjedhur njerëzit e tij.
Aq besim ka Rama tek Agaçi saqë i delegoi atij të drejtën për të negociuar në emër të qeverisë me ndërkombëtarët gjatë javëve kur po përgatitej platforma e Reformës në Drejtësi, duke qënë pikërisht ai njeriu kryesor dhe “strumbullari” e kësaj reforme bashkë me Fatmir Xhafajn, e cila sulmohet se është krijuar për të kryer goditje selektive ndaj kundërshtarëve politikë.
Dhe meqë jemi tek Xhafaj, ish ministrin e Brendshëm e lidh dhe një vrasje me sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçi.
Shkëlzen Qordja, shoferi i Fatmir Xhafajt, i gjetur i vrarë në garazhin e makinave të Ministrisë së Brendshme, më parë ka punuar dhe si shofer i Engjëll Agaçit në kryeministri.
Dhe pasi Shkëlzen Qordja iku nga Agaçi për tek Xhafaj, në vend të tij shkoi vëllai, Ermal Qordja, ku ky i fundit vijoi të jetë shoferi i sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë.
Pistat janë të shumta për vrasjen e ish shoferit të Xhafajt dhe Agaçit, por ka akuza se Qordja kishte më shumë se duhet informacion për punët e pista të të dy zyrtarëve të lartë të cilëve u shërbente, dhe nuk përjashtohet mundësia që të jetë eleminuar për këtë qëllim.
Në fund të herës Agaçi është njeriu i punëve të pista të Edi Ramës, i cili ka dorë që nga futja në lojë e koncesioneve përmes PPP-ve, e deri tek instalimi i lojrave të fatit dhe krijimi i kushteve që Olsi Rama të marrë eksluzivitetin e këtyre aktiviteteve që “pjellin” para me shumicë./Pamfleti
Shënim: Ky shkrim është botuar tek “Pamfleti” me 8 Gusht 2019. E risjellim sot, në vëmendje të gazetarëve italianë të Rai3, për të cilët Don Agaçi ka premtuar se do ti padisë…
Lini një Përgjigje