Ish-Presidenti Bamir Topi ka reaguar ndaj kërcënimeve të bëra për shkrirjen e SPAK, duke i cilësuar ato si deklarata politike që kanë për qëllim presionin indirekt ndaj prokurorëve.
Në intervistën e tij për emisionin “Kjo Javë”, Topi theksoi se SPAK është një institucion i konsoliduar dhe se nuk ka shanse që të shkrihet apo të ndryshohet statusi i tij.
“SPAK është një institucion që ka një mbështetje të konsoliduar dhe ndodhet në një infrastrukturë të plotë të drejtësisë.
Çdo tentativë për të ndërhyrë tregon dobësinë e politikës dhe asgjë më shumë”, ka shtuar Topi.
Ai ka theksuar gjithashtu se edhe nëse mund të ketë reforma të mundshme në të ardhmen, ato do të jenë të fokusuar në përmirësimin e infrastrukturës, jo në shkrirjen e SPAK.
Sali Berisha javën e shkuar ka paralajmëruar shkrirjen e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) duke u shprehur se nuk duhet të ekzistojë.
Kryedemokrati, jashtë godinës së SPAK ku u paraqit për zbatimin e masës së sigurisë “detyrim paraqitje”, tha se “është institucion për t’u shuar me çdo kusht”.
Berisha deklaroi se SPAK nuk mund të kontrollojë telefonat e gjykatësve specialë, duke shtuar se “ke krijuar atë drejtësi që as Enveri dhe Hilteri se kanë pasur”.
'Të njëjtin fat e bandat do të kenë prokurorët e lidhur me bandat.
Absolutisht ky institucion nuk do të ekzistojë. Ndjej keqardhje që rrëmbehej nga momente, por një institucion që është jashtë çdo kontrolli është institucion për t’u shuar me çdo kusht.
Së pari, ky institucion nuk mund të kontrollonte kurrë gjykatësit. Që në momentin që kontrollon telefonat e gjykatësve special ke krijuar atë drejtësi që as Enveri dhe Hilteri se kanë pasur.
Si mund ti japësh prokurorit kontrollin e gjykatësve tek i cili çon dosjen merre fund që këtu, kaq.', tha Berisha.
Lini një Përgjigje