Këlliçi, Topalli dhe Alizoti kanë deklaruar se PD duhet të shohë nga vetja dhe të reformohet, por asnjëri nuk artikulon se Berisha duhet të largohet…
Disfata e 14 majit duket se ka trazuar deri diku ujërat edhe brenda “Foltores”. Ndonëse Berisha pak ditë më parë e bëri të qartë se të gjithë duhet të refuzojnë zgjedhjet dhe të bëjnë Ramën përgjegjës për humbjen, sot janë dhënë sinjalet e para (edhe pse me gjysmë zëri) se ka qejfmbetje brenda klanit të “Foltores”, ndonëse jo të gjithë flasin hapur.
Berisha mblodhi sot Kryesinë e grupimit të tij dhe në hyrje i parapriu diskutimit me dyer të mbyllura. Para gazetarëve ai ja faturoi humbjen Ramës, duke mos dhënë asnjë sinjal reflektimi. Por pati dhe nga ata që folën se ka ardhur koha që të shihet dhe nga vetja.
Jozefina Topalli i dërgoi një mesazh Berishës, që të mos sillet si Lulzim Basha. Ky i fundit pas çdo humbje justifikohej se zgjedhjet u blenë dhe për Topallin nuk duhet ndjekur i njëjti model. Duhet theksuar se Berisha deri tani po bën të njëjtën gjë.
“E para këto nuk ishin zgjedhje. E dyta pushteti nuk do të ndalet dhe e treta opozita nuk bëhet me modelin e ish-kryetarit”, tha ajo. Pavarësisht kësaj, Topalli u shpreh se dorëheqja e Berishës duhet të vijë në zgjedhjet e përgjithshme dhe jo në ato lokale.
Deri diku në të njëjtën linjë ishte dhe Belind Këlliçi, i cili kërkoi reflektim së pari brenda opozitës. Por edhe ai me gjysmë zëri, pasi kërkon reflektim, por nuk artikulon largimin e Berishës.
“Duhet të vëmë gishtin në plagë e të flasim për zgjedhjet. Zgjedhje të lira e të ndershme nuk ka. Duhet të kapërcejmë çdo hatërmbetje e pakënaqësi që t’i përgjigjemi më mirë shoqërisë. Nuk e di si lidhet reflektimi me dorëheqjen, do shohim çfarë s’ka shkuar mirë. Me lidershipin mjafton të shihni statutin, ka ikur koha e dëshirave personale”, tha Këlliçi.
Po ashtu në të njëjtën linjë ka qenë Tomor Alizoti, i cili ka thënë gjatë mbledhjes se PD duhet të reformohet totalisht dhe pa ndodhur një gjë e tillë nuk mund të fitohen zgjedhjet. Por ajo që bie në sy është se ka kritika, por të gjithë druhen dhe askush nuk kërkon largimin e Berishës.
Ndërkohë sipas informacioneve, rezerva ka pasur dhe për aleancën me Metën. Që një ditë më parë u dhanë sinjale pakënaqësie. I pari ishte Luan Baçi, i cilit tha mbrëmë se emri i Metës në fletën e votimit solli humbjen e shumë votave.
“Mungesa e emrit të Sali Berishës ishte shumë ndikuese në mënyrën se si do të votonin shumë qytetarë, duke mos parë emrin e Berishës si kryetar i PD, dhe kam raste që kanë bojkotuar, se thonin ku të vete të votoj se nuk po gjej as PD dhe as Sali Berisha dhe kjo ka qenë kosto, ishte një mënyrë që shumë qytetar nuk erdhën të votonin. Ishte penalizuese. Kishte qytetarë që nuk e identifikonin dot”, tha Baçi.
Më i drejtpërdrejtë ishte Myslim Murrizi, i cili tha mbrëmë se aleanca me Metën nuk i frymëzoi demokratët. “Unë kam qenë kundër për koalicioni me LSI-së. E kam thënë edhe në këshill kombëtar dhe në media. Nuk bindi dhe nuk frymëzoi si koalicion. Ishte një miks nga halli për tu regjistruar në zgjedhje”, tha ai.
Lini një Përgjigje