
Deputetët e Berishës nuk kanë lejuar zhvillimin e mbledhjes ku pritej të diskutohej pakti i arritur mes kryeministres Giorgia Meloni dhe kryeministrit, Edi Rama për sjelljen në Shqipëri të emigrantëve që kapen në det në dy baza në Lezhë.
Deputetet e opozitës kanë bllokuar mbledhjen e Komisionit të Sigurisë, ku pritet të diskutohej marrëveshja me Italinë për emigrantët.
Deputetët e Partisë Demokratike janë ulur në vendet e kolegëve të mazhorancës, duke bërë që mbledhja të shtyhet për në orën 12:00.
Deputeti Flamur Noka, i cili është nënkryetar i Komisionit, u ul në karrigen e kryetarit, Nasip Naço duke i zënë vendin.
Noka, theksoi se marrëveshja e parë që duhet të kalojë është ajo për të respektuar kushtetutën.
“Gjëja e parë që duhet të kalonte është marrëveshja për të respektuan Kushtetutën. Marrëveshja e dytë për të shenjtëruar votën e lirë, marrëveshja e tretë është për të luftuar korrupsionin që Shqipërinë e faruat duke shpopulluar Shqipërinë. Marrëveshja e katërt për të luftuar krimin pas Shqipëria po shpopullohet nga korrupsioni dhe paligjshmëria. Këto janë marrëveshjet që duan shqiptarët, jo ato që duan barbarët. Prej 10 vitesh jeni vetëm barbarë. Tani e keni kthyer edhe në një Ruandë. Ato që kanë prioritet shqiptarët do të trajtohen dhe asgjë që nuk kanë prioritet shqiptarët.
Ne duam të lulëzojë biznesi i ndershëm shqiptar, jo mafia”, dëgjohet të thotë deputeti Flamur Noka.
Ndërkohë, mes deputetëve socialistë e demokratë pati edhe debate. Një ndër to ishte ajo mes deputetit demokrat Edmond Spaho dhe atij socialist, Vullnet Sinaj.
Nasip Naço: Fajin e kam unë. Më jepni një krehër të krihem e i lajmë hesapet
Edmond Spaho: Përgjegjësia jeni dhe ju nuk është vetëm Edi Rama. Kemi folur sa kemi plasur, kjo po na shkon mbrapa. Fajin e keni dhe ju. Edhe këta që rrinë këtu e bëjnë shaka janë përgjegjës ku është kuvendi. Po të ishim në opozita parimore nuk do të arrinim deri këtu. Kërkojini eprorëve të kthehemi në normalitet. Krijoni komisionet hetimore parlamentare.
Vullnet Sinaj: Hajde pra flasim.
Edmond Spaho: Ia keni vënë vizën 43 deputetëve
Ndërkohë Saimir Korreshi vijonte ti binte tavolinës.
“Është fatkeqësi e tyre dhe e jona që kemi këtë opozitë“, tha Nasip Naço për gazetarët.
Pas debateve dhe akuza për rikthimin në normalitet të Kuvendit, kryetari i Komisionit Nasip Naço vendosi mbylljen e mbledhjes së parashikuar në rendin e ditës.
Ndërkaq, paralelisht me zhvillimet në Komisionin e Sigurisë, grupi parlamentar i Partisë Demokratike, i përfaqësuar nga Gazment Bardhi, dorëzoi zyrtarisht sot në Gjykatën Kushtetuese një padi për rrëzimin e marrëveshjes me Italinë për emigrantët.
Në një dalje për mediat, Lindita Metaliaj deklaroi se kjo është një marrëveshje antiligjore.
"Dorëzuam padinë për këtë marrëveshje, pasi jemi në mbrojtje të interesit të qytetarëve. Nuk mundet të vendosë për fatin e vendit tonë në shkelje të të drejtave të njeriut.
I jemi falënderues popullit italian, por kjo nuk ka të bëjë me ta. Ne do të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe nëse pajtohet apo jo kjo marrëveshje me Kushtetutën e Shqipërisë”, tha Metaliaj.
Kjo është padia e dytë për sot që dorëzohet në Kushtetuese, pasi më herët këtë hap e njoftoi Partia Demokratike zyrtare, përmes deputetit Kreshnik Çollaku.
Lini një Përgjigje