Deputeti i Partisë Demokratike në Durrës, Igli Cara, ka publikuar pamje nga plazhi i Durrësit, ku zona shfaqet e ndotur dhe e mbuluar me mbeturina, duke ngritur shqetësime për gjendjen e një prej destinacioneve kryesore turistike në vend.
Në reagimin e tij, Cara akuzon drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiaken Emiriana Sako për situatën, duke e lidhur atë me keqmenaxhimin dhe shpërdorimin e fondeve publike.
“Na ishte një herë plazhi i Durrësit… ajo që po ndodh në Durrës është kriminale. Shpërdorim i fondeve publike… është korrupsion i pastër i Rama, Sako & CO!", shkruan ai.
Sipas deputetit demokrat, ndërhyrjet në zonë po dëmtojnë identitetin e qytetit dhe një nga pasuritë natyrore më të rëndësishme të vendit.
Cara e cilëson situatën si një “masakër mjedisore”, duke theksuar se ka ndërmarrë edhe hapa ligjorë duke depozituar një kallëzim në Prokurori së bashku me një arkitekte, por ende nuk ka marrë përgjigje.
“Afro 10 muaj më parë… bëmë një denoncim në prokurori dhe ende nuk kemi marrë një përgjigje… a funksionon drejtësia?”, shprehet ai.
Deputeti shton se nuk flet vetëm si politikan, por edhe si qytetar i Durrësit, duke ngritur dyshime për përfitime të paligjshme nga projektet në zonë.
“Një pasuri e tillë kombëtare të dëmtohet… për t’u shërbyer miqve të Ramës…", deklaron Cara.
Lini një Përgjigje