TAGS-AT E JAVËS

Politike10 Shtator 2024, 17:39

Cilët janë skenarët e protestës nesër? Demokratët “rrethojnë” SPAK-un në mbrojtje të Berishës, policia ‘blindon’ godinën  

Shkruar nga Pamfleti

Cilët janë skenarët e protestës nesër? Demokratët

Protesta do të zgjasë që nga momenti kur do të mbërrijë Berisha e deri kur para prokurorëve të SPAK të paraqitet dhëndri i tij...

Për herë të parë nesër do të kemi protestë politike kundër drejtësisë. Organizatat, shoqëria civile dhe grupet e interesit kanë protestuar, por nuk kemi parë që politika të protestojë kundër organeve gjyqësore.

Sali Berisha dhe dhëndri i tij do të ngjisin shkallët e SPAK, ku pritet që zyrtarisht të merren të pandehur për dosjen “Partizani”. Por kjo duket se ka alarmuar selinë blu, pasi lëvizja vjen para zgjedhjeve të vitit 2025 dhe padyshim do të ndikojë te procesi.

Për këtë arsye nesër para SPAK do të kemi një protestë nga besnikët e Berishës. Sipas informacioneve, protesta e së mërkurës do të jetë e organizuar kryesisht nga strukturat e PD-së në Tiranë dhe qyteteve përreth, por jo në përmasat e një tubimi kombëtar.

Mësohet se protesta do të zgjasë aty që nga momenti kur do të mbërrijë Berisha e deri kur para prokurorëve të SPAK të paraqitet dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi. Nuk parashikohen akte dhune, por duket se do të jetë një rebelim kundër drejtësisë së re.

Qëllimi i demokratëve është të ushtrojnë presion që Berisha të lirohet nga akuzat dhe arresti. Pritet që pjesa hyrëse e SPAK të jetë e bllokuar nga militantët, duke penguar në këtë mënyrë hyrje-daljet.

Ndërkohë mësohet se nuk është marrë leje në polici për këtë protestë dhe nuk përjashtohet mundësia që të ndërhyjnë forcat e rendit. Mësohet se policia e Tiranës ka marrë angazhim për të rritur prezencën e saj te godina e Prokurorisë Speciale, teksa pritet të jenë në gatishmëri dhe forcat speciale për të shmangur ndonjë tentativë për të hyrë në godinë, edhe pse nuk përfshihet në skenar.

Që sot ka nisur organizimi në PD, teksa nuk kanë munguar as mesazhet në rrjetet sociale. “Nesër të mërkurën, 11 Shtator, ora 12, SKAP-i i partisë, pas 3 vjet hetim dhe 9 muaj hetim, nën arrest, si i burgosur politik, ka thirrur liderin e opozitës, kryetarin e PD, profesor doktor Sali Berishën dhe anëtarin e Këshillit Kombëtar të PD, profesor Jamarbër Malltezin këtë të fundit për fajin e vetëm se është dhëndër i Sali Berishës! Unë do të jem aty, të gjithë duhet te jemi aty, nuk është arrestuar dhe  thirrur vetëm Sali Berisha, është arrestuar, izoluar dhe kërkojnë të zhdukin opozitën, të gjithë ne”, shkruan Luan Baçi.

Ajo që vihet re është se tani ka nisur dhe një lloj gare brenda PD se kush e kush të tregohet me besnik ndaj Berishës, me qëllim që të jetë pjesë e listës së kandidatëve në zgjedhje. Mbetet të shihet se cilët nga deputetët do të jenë nesër në tubim dhe a do të shkojnë Gazment Bardhi dhe ata që janë krah tij, të cilët njëherë e njëkohë shpreheshin se nuk e sulmojnë drejtësinë e re. /Pamfleti

Lini një Përgjigje