
Bllokimi i rezultatit në Vorë dhe te Njësia 10 në Tiranë, vendim skandaloz...
Një skandal i vërtetë ka ndodhur sot në mbyllje të procesit të votimit. Teksa të gjithë prisnin që të kishim rezultatet e votimit për Vorën dhe Njësinë 10 në Tiranë, aty ku u votua në mënyrë elektronike, pati një deklaratë të beftë nga Ilirjan Celibashi. Komisioneri njoftoi se ka pasur një kërkesë nga PD që të mos dalë rezultati dhe ai i është bindur, duke deklaruar se rezultati do të dalë nesër në mëngjes.
Por jemi në kushtet e një skandali. Janë shpenzuar miliona euro për votimin elektronik në këto dy zona, që rezultati të dalë 1 orë pas mbylljes së votimit dhe jo pas 24 orësh, pasi një ditë më vonë del edhe me numërim manual.
Ndërkohë vetë KQZ ka miratuar një rregullore për këtë proces dhe në pikën 18 thuhet: “Rezultati paraprak nxirret dhe publikohet nga KQZ pas dërgimit në SEMVR të rezultatit të votimit për çdo qendër votimi ku zbatohet projekti pilot.”
Kjo manovër bie ndesh me çdo normë ligjore. KQZ presupozohet të veprojë e pavarur në këtë proces dhe nuk duhet t’u bindet tekave të partive politike. Nesër mund të dalë PS dhe të kërkojë të mos dalë rezultati, me qëllim që të mos demotivojë elektoratin dhe numëruesit.
Ky është skandali i disatë i Celibashit. Për vite me radhë janë hedhur miliona për pajisjet elektronike dhe kemi një dështim total vit pas viti. Vetë SPAK ka nisur një hetim penal për zgjedhjet e vitit 2021, mbi dy tenderë për pajisjet elektronike me vlerë 21 mln euro. Edhe në këtë rast Dumani duhet të veprojë, pasi nuk mund të hidhen në kosh milionat nga taksat e qytetarëve. /Pamfleti
Lini një Përgjigje