
Ditën e sotme posterit të Partisë Socialiste me mbishkrimin “Non Grata” i është vendosur flaka në Rrugën e Kombit.
Billbordi i vendosur në Rrugën e Kombit në Mirditë, ku është dalja për në qytetin e Rrëshenit është djegur nga persona ende të paidentifikuar, teksa Policia e Mirditës dhe ajo e Lezhës kanë nisur hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarje.
“Me ta, nuk kemi asnjë shans,”-shkruhej në poster, ndërsa shfaqen të gjithë liderët e opozitës, mes tyre kryedemokrati Sali Berisha dhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Ky është një ndër posterët e bërë nga Partia Socialiste për zgjedhjet e 14 majit.
Ndërkohë sot në Dibër ka qenë Sali Berisha, aty ku ka prezantuar dhe kandidatin e koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” për zgjedhjet lokale të 14 Majit.
Ish-kryeministri foli dhe për Hidrocentralin e Skavicës që sipas tij rrezikon mbytjen e tokave të kësaj zone. E për këtë, thirrja e tij është që dibranët më 14 Maj të votojnë Ismail Ukën.
Sipas tij, kryeministri Edi Rama e bazon këtë fushatë elektorale në mashtrimin e vajzave dhe nënave.
“U ndala për të thënë dy fjalë për nënat, vajzat, motrat dibrane. Këtë fushatë Rama e bazon në mashtrimin e vajzave dhe nënave. I them se njeri më mizogjen se ti nuk ka pasur Shqipëria. Ti je autori i të gjitha brengave ekonomike, sociale, familjare që sjell skamja e nënave, motrave dhe vajzave shqiptare. Ndaj dhe ti, më 14 jo vetëm do kesh ndëshkimin e tyre me votë, por do kesh mallkimin e tyre me gjithë shpirt. Dhe nëse ka njeri që e meriton, je ti Edi Rama me këto që u ke krijuar familjeve shqiptare, varfërinë, mjerimin, largimin.E përfundoj me thirrjen time: më 14 votoni për Dibrën, votoni për të shkuarën e saj, për traditën tuaj të madhe, votoni për të sotmen tuaj, për të ardhmen e Dibrës. Dibra nuk duhet të zhduket kurrë, Dibra duhet të shpëtojë. Dibra është në duart tuaja!”
Lini një Përgjigje