
Takimet në bazë shqetësojnë Berishën, nis goditjet ndaj Salianjit
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është hakmarrë ndaj Ervin Salianjit, pas lëvizjes që ky i fundit ka nisur në PD. Mësohet se Berisha e ka larguar ish-deputetin nga detyra e drejtuesit politik në Njësinë nr. 6 të Tiranës. Ky vendim vjen 3 ditë para protestës së 22 dhjetorit.
Pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD të mbajtur dje, Berisha u pyet nga gazetarët nëse do të përjashtonte Salianjin nga partia. “Nuk kam thënë që s’ka vetëpërjashtime”, u shpreh ai, duke lënë të kuptohet se për PD-në, Salianji nuk ka më vend në strukturat drejtuese.
Tensionet u përshkallëzuan pasi Berisha akuzoi publikisht Salianjin për bashkëpunim me grupe kriminale në Elbasan. “Kjo është një vijë e kuqe që nuk tolerohet”, deklaroi Berisha. Në reagimin e tij, Salianji i hodhi poshtë me forcë akuzat.
Tensionet nisën që në mbledhjen e Kryesisë së PD të shtunën që lamë pas. Ervin Salianji akuzoi sekretarin Flamur Noka për keqorganizim dhe mungesë drejtimi. Ai tha se demokratët janë të zhgënjyer dhe nuk mund të kërkohet besim i ri përballë një strukture që sipas tij është shpërbërë. Salianji e quajti të papranueshme heshtjen për përfshirjen e individëve të lidhur me PS në takimet e PD dhe kërkoi dorëheqjen e Nokës.
Përplasja mes tyre vazhdoi edhe kur u përmendën emra konkretë dhe u akuzua për bashkëpunim të heshtur me njerëz të mazhorancës për të sabotuar aktivitetet e PD. Debati u përkeqësua kur u përmendën dhe eksponentë krimi.
Salianji dhe Berisha u përplasën edhe për kontributin e Hysen Kadiut gjatë zgjedhjeve të fundit. Berisha pretendoi se ai nuk kishte kontribuar në fushatë, ndërsa Salianji kundërshtoi ashpër duke thënë se kishte prova dhe foto që faktonin të kundërtën, madje e konsideroi gjuhën e përdorur nga Berisha si të papranueshme, duke i kërkuar të tërhiqej ose ndryshe do të largohej nga mbledhja.
Lini një Përgjigje