Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me aleatët opozitarë ka hedhur akuza ndaj Edi Ramës që e cilësoi regjimin e tij njësoj si "ajo e Maduros në Venezuelë, pasi të dyja mbështeten te fuqia e jashtëzakonshme e drogës."
Berisha akuzoi kryeministrin Rama se po përqendron të gjitha pushtetet në duart e tij, duke shtypur pluralizmin politik. Sipas tij regjimi mbështetet në fuqinë e të drogës, e cila ka ndikuar në ekonominë, drejtësinë dhe rezultatin e zgjedhjeve në vend.
“Kjo fuqi e jashtëzakonshme e drogës në regjimin e Edi Ramës luan një rol përcaktues edhe në rezultatin e zgjedhjeve, në vendimet e gjykatave, në vendimet e ekzekutivit. De facto, droga dhe kartelet janë vendimmarrësit kryesorë të vendit”, theksoi Berisha.
Sipas Berishës, kartelet shqiptare të drogës kanë zgjeruar aktivitetin e tyre edhe në Amerikën Latine, duke u bërë aktorë të rëndësishëm në tregtinë e kokainës dhe duke influencuar procese elektorale jashtë vendit. Ai citoi gjithashtu një artikull të “Washington Examiner”, ku, sipas tij, thuhet se vetë kryeministri Rama përfiton nga këto kartele.
"Sot, Shqipëria është një njollë e zezë në hartën e Europës. Është zyrtarisht, pas raportit të fundit të OSBE/ODIHR, autokraci elektorale apo diktaturë autoritare. Do të thotë regjim që e pranon pluralizmin, por e shtyp pluralizmin. Ky është i gjithë thelbi i saj. Nuk është totalitare sepse e pranon pluralizmin. Por njëlloj si në totalitaren, pushtetet të gjitha përqendrohen në një dorë. Në dallim nga autokracitë e tjera elektorale apo diktaturat autoritare, kjo e Shqipërisë është siameze me diktaturën e Maduros së Venezuelës. Pse kjo? Kjo sepse të dyja kanë një mbështetje të jashtëzakonshme në fuqinë e jashtëzakonshme të drogës. Dhe kjo fuqi e jashtëzakonshme e drogës, në rrafshin ekonomik, është më e fuqishme se çdo parti.”, tha Berisha.
Takimi i sotëm i Berishës me aleatët ka për qëllim bashkëpunimin për reformën zgjedhore dhe reformën territoriale.
Lini një Përgjigje