TAGS-AT E JAVËS

Politike 3 Qershor 2023, 16:44

Basha, Berisha apo Tabaku? Javë e “nxehtë” për PD, të hënën hidhen piketat për zgjedhjet brenda partisë

Shkruar nga Pamfleti

Basha, Berisha apo Tabaku? Javë e “nxehtë” për PD,

Pritet që në mbledhjen e grupit të ketë debate e diskutime, pasi një nga pikat kryesore që do të diskutohet është mundësia për të mbajtur zgjedhje për kreun e PD...

Java që vjen do të jetë një javë e nxehtë për Partinë Demokratike. Pas disfatës që opozita mori në zgjedhjet e 14 majit, të hënën do të mblidhen për herë të parë strukturat dhe do të diskutohet se çfarë do të ndodhë tani me partinë. Berisha nga njëra anë nuk lëshon pe dhe e ka ndarë mendjen se do të qëndrojë aty edhe sikur PD të shkojë në greminë. Ndërkohë grupi kundër tij duket se do të hedhë hapat e parë për konsolidimin e partisë.

Pak ditë më parë ishte Gazment Bardhi, ai i cili thirri një mbledhje grupi të hënën, ndërsa të martën kryesinë, ku do të diskutohet mbi 2 çështje: Mbi situatën politike në vend dhe mbi procesin e riorganizimit të PDSH.

Sipas informacioneve, pritet që në mbledhjen e grupit të ketë debate e diskutime, pasi një nga pikat kryesore që do të diskutohet është mundësia për të mbajtur zgjedhje për kreun e PD. Partia ka 1 vit pa një kryetar zyrtar dhe kjo situatë e ka dëmtuar. Berisha pretendon se është kryetar, por statuti mbi të cilin ai u zgjodh u rrëzua nga gjykata, që e bën të pavlefshëm votimin. Sot ishte deputetja Oriola Pampuri, e cila deklaroi se PD duhet të mbajë sa më shpejt zgjedhje për kryetarin.

“Unë mbështes zgjedhjet e menjëhershme në PD. Kemi pritur shumë, kemi pritur dy vite. Ka qenë kohë e mjaftueshme për të ftuar këdo që donte këtë bashkim”, tha ajo.

Ndërkohë po ashtu do të diskutohet se kush duhet ta marrë drejtimin e partisë deri në mbajtjen e zgjedhjeve. Sipas Statutit, kryetare e komanduar duhet të jetë Jorida Tabaku. Kjo e fundi nuk ka dhënë akoma një përgjigje nëse e do apo jo këtë post.

Hapja e zgjedhjeve të reja do të sjellë një përplasje të re Basha-Berisha. Basha e ka treguar hapur se do të rikandidojë në zgjedhje dhe për momentin nuk ka asnjë pengesë që ai ta bëjë këtë gjë. Por kur vjen puna te Berisha, ka një rezolutë të miratuar në Kuvendin e partisë, sipas së cilës personat e shpallur “non grata” nuk mund të kandidojnë për poste drejtuese. Pra duket se çfarëdo që të ndodhë, Berisha është jashtë PD-së. Mbetet të shihet në fillim të javës që vjen se cilat do të jenë vendimet finale që do të marrin deputetët. /Pamfleti

basha berisha tabaku pd

Lini një Përgjigje