
Deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani ka folur lidhur me masakrën me 4 viktima që tronditi Shkodrën.
Ai theksoi se prania e grupeve kriminale që veprojnë pa pengesa është një tregues i qartë i bashkëpunimit me drejtues të policisë.
Dogjani shprehet se këto grupe janë përdorur nga qeveria për përfitime politike, duke theksuar se policia nuk kontrollon më territorin. Deputeti e krahasoi situatën e tanishme me atë të viteve të turbullta 1997-2000, kur policia nuk mund të operonte në disa zona.
“Ngjarje të tilla janë ngjarje shumë të rënda, ngjarje tragjike që, në radhë të parë, përcjellin frikë, pasiguri dhe ankth, jo vetëm te qytetarët e Shkodrës, por në të gjithë Shqipërinë.
Rasti i Shkodrës, ku persona të armatosur lëvizin në mes të qytetit, në hyrje të Shkodrës, ku është aksi me lëvizje 24 orë sepse lidhet me Hanin e Hotit, tregon se kjo ngjarje nuk mund të ndodhte pa mbështetjen e policisë. Nuk flas për të gjithë policët, por për drejtuesit kryesorë, ndërsa pjesa tjetër kanë gjetur një rrugë tjetër: ose ulin kokën dhe bëjnë sikur nuk shohin, sepse, nëse do të reagojnë, do t’u shkojnë në shtëpi për t’i kërcënuar. Sepse edhe polici njeri është – ose do ta vrasin, ose ai do të gjejë një rrugë tjetër, duke u kompromentuar dhe duke marrë ryshfet.
Këto grupe kriminale në Shkodër janë përdorur nga Edi Rama për marrjen e pushtetit, jo vetëm në Shkodër, por edhe në Durrës, Elbasan, Vlorë, pra në të gjithë Shqipërinë grupet kriminale janë përdorur për marrjen e pushtetit.
A e dini se policia e Shkodrës sot nuk e kontrollon dot territorin? Jemi kthyer si në vitet ’97-2000, nuk e kontrollon më as fizikisht. Polici duhet të marrë leje për të shkuar në një lagje të Shkodrës nga këto grupe kriminale. Inspektori i rendit duhet të bisedojë me ta që t’i japin leje, njësoj si në ’97, kur policia nuk mund të hynte në disa zona”, tha Dogjani për “Syri Tv”.
Lini një Përgjigje