
Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji ka reaguar pas urdhër arrestimit të SPAK për ish kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako.
Me anë të një reagimi në rrjetin social “Facebook”, ai tha se edhe pse vendimi vonuar, ky është një zhvillim pozitiv për rritjen e fuqisë goditëse dhe hetimeve të SPAK tek personat me pushtet politik dhe lidhje me qeverinë.
Ai shtoi se duhet të inkurajohet SPAK dhe institucionet e drejtësisë që ky mos jetë rasti i fundit por i pari që nis goditjen me themel të mafias politike.
“Pavarësisht se i vonuar, arrestimi i Vangjush Dakos është zhvillim pozitiv për rritjen e fuqisë goditëse dhe hetimeve të SPAK tek personat me pushtet politik dhe lidhje me qeverinë! Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar, ne kemi denoncuar prej vitesh abuzimet skandaloze, korrupsionin masiv, deformimin e vullnetit të zgjedhësve, shkatërrimin e zgjedhjeve, betonizimin e Durrësit, shpërblimin e grupeve kriminale me ofiqe qeveritare dhe pasuri publike!
Dako është një prej zbatuesve në terren të involvimit dhe përfshirjes së krimit në zgjedhje, në shkatërrimin dhe vjedhjen e tyre, pamundësinë për të garuar për shkak të shpërblimit masiv dhe lehtësimit që i bënte grupeve të krimit të organizuar!
Strategjia për ta shitur bashkëpunimin me krimin si normalitet politik synonte dhe synon të mpijë reagimin e shoqërisë, qeveria ka imponuar pranimin e krimit si standard duke asgjësuar votën dhe praktikisht asgjësuar demokracinë në vend! Të shpresojmë dhe inkurajojmë SPAK dhe institucionet e drejtësisë që ky mos jetë rasti i fundit por i pari që nis goditjen me themel të mafies politike që dhunon gjatë zgjedhjeve dhe zhvat dhe komandon qytetarët më pas!”, shkruan Salianji.
Lini një Përgjigje