Amerika zotëron arsenalin më të madh ushtarak në histori, por ai po ndryshket nëpër magazina ndërsa ukrainasit po vdesin përditë...
Sulmi terrorist i së premtes së kaluar në sallën e koncerteve Crocus City Hall në periferi të Moskës vrau më shumë se 135 njerëz në një krim brutal kundër njerëzimit. Shumë fakte të rëndësishme janë ende të paqarta, dhe të jini të sigurt se do të bëhen më pak të qarta ndërsa Kremlini po punon për ta shfrytëzuar në dobi të tij këtë krizë si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
Menjëherë pas zgjedhjeve presidenciale farsë të 15-17 marsit, sulmi i dha një kauzë të re diktatorit Vladimir Putin, vetëm një ditë pasi Kremlini deklaroi për herë të parë se Rusia është në një “gjendje lufte” në Ukrainë. Paranoja është tipike për mua, ashtu siç është për këdo që ka lindur në Bashkimin Sovjetik. Por narrativa zyrtare e historisë së Kremlinit është tashmë në krizë. Në një nga qytetet më të mbikëqyrura në tokë, ku mund të arrestohesh në 30 sekonda vetëm nëse pëshpërit “Jo luftës!”, terroristët e vazhduan sulmin e tyre për më shumë se një orë dhe më pas u larguan. FSB, shërbimi shtetëror i sigurisë, pretendon se ka arrestuar 4 të dyshuar pranë kufirit me Ukrainën, pra në një nga kufijtë më të fortifikuar në botë. Apo të dyshuarit në të vërtetë kanë udhëtuar drejt aleatit të Rusisë, Bjellorusisë, siç tha ambasadori bjellorus në Moskë?
Duke pasur parasysh sasinë e materialit dhe përgatitjes që kërkohet për të bërë kaq shumë dëme në një vend me madhësinë e një fshati të vogël, është e çuditshme sesi terroristët u shndërruan aq papritur në amatorë të rrëmujshëm duke mbajtur pasaportat e tyre taxhike dhe duke u nisur drejt një kufiri të militarizuar.
Çdo deklaratë zyrtare e Kremlinit dhe propaganduesve të tij do të jetë një gënjeshtër, me disa gjysmë të vërteta të përziera brenda. Është një kontroll refleksiv i gjendjes së sigurisë, produkt i së cilës është Putin. Siç e them shpesh, unë besoj tek rastësia, por besoj edhe tek KGB-ja.
Putin refuzoi me zemërim paralajmërimet nga ambasada e SHBA-së në Moskë më 7 dhe 18 mars për një sulm të mundshëm terrorist në një hapësirë të madhe publike në Moskë. (Nga e dinte SHBA? Kishte burime tek ISIS-K, apo siç unë dyshoj, të infiltruar në radhët e FSB-së ruse?).
Më pas më 22 mars, Putin dha urdhër për të rekrutuar qindra mijëra rusë të tjerë për luftën e tij pushtuese kundër Ukrainës. 25 vjet më parë, kur kryeministrit i atëhershëm i Rusisë
Vladimir Putin kishte nevojë për një kauzë për fushatën e tij presidenciale, një seri shpërthimesh terroriste në disa blloqe apartamentesh në Rusi shkaktuan fillimin e Luftës së Dytë Çeçene.
Në librin tim të vitit 2015 “Dimri po vjen”, unë kam paraqitur shumë prova se ato ishin sulme të organizuara nga vetë shërbimi sekret rus, FSB. Është një akt kaq tronditës sa është e vështirë të besohet, derisa ta kuptoni se çfarë lloj njeriu është Putin. Ai nuk ka alergji ndaj gjakut rus apo të ndonjë lloji tjetër, nëse derdhja e tij i çon përpara qëllimet e tij.
Njëzet e pesë vjet më parë, Putin mori pushtetin duke kryer vrasje masive në Çeçeni. Sot, me shpresën për të qëndruar në pushtet, ai po kryen vrasje masive në Ukrainë. Dobësia e Perëndimit e inkurajon përshkallëzimin e luftës nga Rusia.
Këshilltari për sigurinë kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, ishte ditët e fundit në Kiev, por në vend se ta ndihmonte Ukrainën që të përballet me sulmet e përditshme ruse ndaj infrastrukturës së saj energjetike duke shpërndarë armë, ai me sa duket ishte atje për ta dekurajuar Ukrainën që të bënte të njëjtën gjë me Rusinë.
Të premten, Financial Times raportoi se SHBA i ka bërë presion Ukrainës që të mos sulmojë infrastrukturën ruse të naftës, nga frika e rritjes së çmimeve globale të gazit, gjë që mund të dëmtojë shanset e rizgjedhjes së presidentit Biden. Fuqia ajrore ruse po e shkatërron Ukrainën sepse Amerika i premtoi Kievit avionët F-16, por tani po thotë se duhet shumë kohë për të trajnuar pilotët.
Madje javën e kaluar administrata e Biden vendosi veton ndaj një deklarate të G7-ës që denonconte zgjedhjet presidenciale farse në Rusi. E gjitha kjo sugjeron se Biden i frikësohet humbjes më shumë sesa fitores së Rusisë. Siç e kam theksuar në gusht të vitit të kaluar, kjo sjellje është vazhdimi i një tradhtie ndaj një aleati demokratik dhe ndaj interesave amerikane të sigurisë.
Shtëpia e Bardhë po harxhon energji duke i treguar Ukrainës se ku nuk mund të qëllojë, dhe t’i tregojë Izraelit se ku nuk mund të gjuajë terroristët. Në vend se të ofrojë udhëheqje për të bashkuar aleatët demokratikë kundër diktatorëve, administrata e zotit Biden vendos kufizime për aleatët e Amerikës për të mbrojtur armiqtë e Amerikës.
Në këto kushte, s’ka nevojë të pyesni veten se çfarë mendojnë Tajvani dhe Kina për këtë sjellje tërësisht pasive të Amerikës. Pengimi nga republikanët i ndihmës për Ukrainën është një akt i neveritshëm, por Biden nuk mund ta përdorë atë për të justifikuar politikën dhe mosveprimin e tij.
Amerika zotëron arsenalin më të madh ushtarak në histori, por ai po ndryshket nëpër magazina ndërsa ukrainasit po vdesin përditë. Harry Truman u desh të përballej me Stalinin dhe tha se paratë u ndalën me të. Biden thotë se paratë ndalen me kreun e Kongresit Mike Johnson.
Në fjalimet dhe postimet në mediat sociale Donald Trump kërcënon me izolim. Biden po e bën realitet izolacionizmin duke refuzuar që t’u bëjë ballë diktatorëve apo opozitës së tij të brendshme. Joe Biden u tërhoq nga Afganistani, ndërsa Rusia e pushtoi Ukrainën.
Ai u tërhoq nga Ukraina, dhe Hamasi filloi një luftë kundër Izraelit. Dobësia nxit agresionin. Vladimir Putin beson se për të mbajtur pushtetin ai ka nevojë për luftë të përhershme. Prandaj po krijon kushtet për ta radikalizuar më tej popullsinë ruse, dhe për të përmbushur urdhrat e tij të rinj të mobilizimit ushtarak.
Deri në verë të këtij viti, rekrutët e rinj do të jenë në vijën e parë të frontit në Ukrainë. Ukraina nuk mund të mbijetojë këtë vit nëse udhëheqësit e Amerikës nuk bëjnë atë që është e drejtë dhe jo ata që mendojnë se është e përshtatshme politikisht.
Si të gjithë diktatorët, Putin është shumë i aftë në krijimin e ngjarjeve që e shpërqendrojnë vëmendjen nga krimet e tij. Sulmi i Moskës do të tërheqë momentalisht vëmendjen globale nga lufta e tij kundër Ukrainës, por në fund nuk do ta shpërqendrojë. Prandaj unë u them: vajtoni për çdo jetë të pafajshme të humbur në Moskë, por veproni edhe për të shpëtuar një tjetër në Ukrainë. Nëse është i lirë një vrasës serial i dyshuar, gjëja e parë që duhet bërë kur ka një vrasje është të verifikoni alibinë e tij.
Putin është i akuzuar zyrtarisht për krime lufte dhe historia e tij e përgjakshme e bën atë të dyshuarin nr.1. Nuk mund të ketë asnjë kauzë të përbashkët me Rusinë kundër terrorizmit, kur terroristi më ekspert në botë sundon ende në Kremlin./Përshtati Pamfleti nga “Wall Street Journal”
Shënim: Garry Kasparov, bashkëthemelues i Kongresit Botëror të Lirisë dhe kryetar i Iniciativës për Renew Democracy.
Lini një Përgjigje