
SHBA ia bëri të qartë Edi Ramës, se përrallat me “Ndoc Rrok” nuk janë dhe aq popullore në Uashington.
Njëjtë si nëna e Kostandinit, në romanin e Ismail Kadaresë, shqiptarët të habitur nga ajo çfarë dëgjojnë dhe shohin përditë, me të drejtë pyesin; “kush e solli drejtësinë e re”?
Sa herë kapet ngushtë me pyetje për numrin e lartë të ministrave, deputetëve dhe kryebashkiakëve nga partia që ai drejton, që janë arrestuar ose janë nën hetim nga SPAK, kryeministri Rama “shpërthen” duke u justifikuar me të njëjtën histori, se ishte ai dhe PS-ja që sollën drejtësinë e re!
Madje kohët e fundit, mbase duke treguar dhe një lloj prishje raportesh me amerikanët për goditjet e forta të SPAK, Rama ka zhveshur SHBA-në dhe partnerët e tjerë europian nga çdo meritë për reformën në drejtësi. Ose siç e thotë ndryshe ai: “Amerikanët kanë sjellë Ndoc Rrokun në Shqipëri”.
“Amerikanët kanë sjellë Ndoc Rrokun këtu, sepse këtë e ka sjellë PS me mua në krye. Që të jemi të qartë edhe amerikanët edhe evropianet kanë pasur shumë rezerva, ishin shumë mosbesues. Mbështetja për amerikane ka qenë absolute, por askush nuk e ka pasur vullnetin tim për ta ndarë drejtësinë nga pushteti politik”, thoshte në fund të muajit tetor, kryeministri Rama.
Por siç thotë populli; “punët e mira bëhen, avash, avash”, dhe e tillë ishte përgjigja e SHBA-së lidhur me këtë deklaratë të Ramës, e ngadaltë, por me një mesazh tepër të qartë.
Pas më shumë se 1 muaji nga ajo shprehje e hidhur e Ramës, SHBA i dha përgjigjen pyetjes se kush e solli me të vërtetë drejtësinë e re në Shqipëri.
Dje, Departamenti Amerikan i Shtetit, me në krye, Sekretarin Antony Blinken, shpalli kreun e SPAK, Altin Dumani kampion të luftës antikorrupsion. Dumani mori vlerësime të larta për punën e tij nga ana e Sekretarit Blinken, i cili e bëri të qartë se SPAK, me ndihmën e SHBA-së është dhe do të vijojë të mbetet institucioni më i besueshëm në Shqipëri.
“Altin Dumani, nga Shqipëria, drejton një agjenci të re (SPAK). Ka goditur politikanë të lartë, por edhe grupe të rëndësishme kriminale, duke bërë punë të jashtëzakonshme dhe një nga njerëzit më të besueshëm dhe institucion me të besueshme në Shqipëri”, tha Blinken.
Pavarësisht se mbase me pakë kohë vonesë, SHBA e përcolli mesazhin e saj: Ata e bënë të qartë se SPAK është organ i ngritur prej tyre dhe Dumani po ashtu ka fituar mbështetjen maksimale të Uashingtonin.
Me pak fjalë, SHBA ia bëri të qartë Edi Ramës, se përrallat me “Ndoc Rrok” nuk janë dhe aq popullore në Uashington./Pamfleti
Lini një Përgjigje