Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, u paraqit këtë mëngjes në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, disa ditë më parë ka përfunduar hetimet paraprake dhe ka dërguar për gjykim ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqajn dhe tetë zyrtarët e tjerë, të akuzuar për koncesionin e sterilizimit.
Ndaj Beqajt, rëndon vepra penale “Shpërdorim detyre”, e kryer në bashkëpunim.
Ish-ministri i Shëndetësisë është paraqitur në SPAK për të vijuar me leximin e dosjes së tij voluminoze, teksa e ka pasur të pamundur që të paguaj tarifën për të marrë fashikujt e dosjes.
Beqaj ka refuzuar të paguajë 10 milionë lekë për të marrë dosjen e printuar.
Hetimi SPAK është kryer për koncesionin “shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, në kohën kur Beqaj drejtonte Ministrinë e Bujqësisë.
Për veprimet ose mosveprimet që kanë të bëjnë me miratimin dhe nënshkrimin e kësaj kontrate koncensionare, duke i miratuar ato në kundërshtim me rregullat dhe aktet ligjore e nënligjore të zbatueshme për koncesionet, rezulton e provuar plotësisht, se ish Ministri i Shëndetësisë, i pandehuri Ilir Beqaj, ka konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, e kryer në bashkëpunim, me Klodjan Rjepajn, të parashikuara nga 248 -25, të Kodit Penal.
Dosja e Sterilizimit
Kujtojmë se ish-ministri dhe 8 persona të tjerë, mes tyre ish-zyrtarë dhe biznesmenë, janë zyrtarisht nën akuzë nga SPAK për dosjen për koncesionin e sterilizimit.
Beqaj i cili akuzohet për shpërdorim detyre do të jetë në bankën e të akuzuarve së bashku me ish-zëvendësin e tij në Ministrinë e Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj që mori koncesionin e sterilizimit, të dy në burg që prej gushtit të kaluar, aty ku u janë komunikuar edhe akuzat. Zv. ministri akuzohet për shpërdorim detyre ndërsa biznesmeni për mashtrim.
Hetimet janë kryer nga prokurorët Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi të cilët kanë pritur deri në momentet e fundit për mbylljen e hetimeve, afati i të cilave përfundonte pikërisht më 15 mars. SPAK akuzon për shkelje në procesin e koncesionit të sterilizimit me vlerë 100 milionë euro dhe afat 10-vjeçar, të fituar nga biznesmeni Ilir Rrapaj.
Prokuroria thotë se në dhënien e koncesionit të akuzuarit nuk kanë respektuar ligjin dhe kanë shpërdorur detyrën ndërkohë që sipas akuzës Ilir Beqaj ka pasur njohje dhe miqësi të fortë me biznesmenin Ilir Rrapaj. Ndër gjetjet e konstatuara nga SPAK janë edhe procedurat e ndjekura për fituesin por dhe mos realizimi i kushteve të parashikuara në kontratë.
Lini një Përgjigje