TAGS-AT E JAVËS

Politike 9 Nëntor 2025, 15:18

A po i bëjnë presion Edi Ramës, SHBA dhe BE për zgjatjen e mandatit të SPAK?

Shkruar nga Pamfleti
A po i bëjnë presion Edi Ramës, SHBA dhe BE për zgjatjen e
Edi Rama /

Furia hetimore ndaj ministrave dhe zyrtarëve të PS-së, e shfaqur në prag zgjedhjesh, është sinjal i koduar për kryeministrin. Altin Dumani paralajmëron mbylljen e mandatit, BE dhe SHBA rikonfigurojnë mbështetjen për drejtësinë, ndërsa politika kërkon “kapakun e çeliktë” të Senatit.

Hetimet e reja të SPAK ndaj qeverisë janë më shumë se aksione penale; janë mesazhe politike për Edi Ramën dhe për elitën që po përpiqet të ndërtojë mekanizma mbrojtjeje përballë drejtësisë. Në sfond qëndron plani për reformën kushtetuese dhe krijimin e Senatit, që mund të shërbejë si strehë për klasën e vjetër politike, ndërsa BE dhe SHBA po koordinojnë fazën e re të presionit mbi Tiranën.

Nuk është rastësi që SPAK ka intensifikuar hetimet ndaj zyrtarëve të lartë të qeverisë në prag të fushatës zgjedhore.
Ato nuk janë thjesht procedime të zakonshme penale, por mesazhe të koduara për Edi Ramën; një sinjal se reforma në Drejtësi po hyn në një fazë të re dhe se askush nuk është më i paprekshëm.
Kjo u kuptua qartë pas deklaratës së Altin Dumanit në Parlament, ku ai foli hapur për dy çështje:
- përfundimin e mandatit të tij dhe
- dështimin e politikës për të garantuar vijimësinë e SPAK-ut.

Në mënyrë simbolike, Dumani paralajmëroi se do të largohet nga drejtimi i SPAK, por jo nga prokuroria, duke e lënë pas mesazhin e fortë se institucioni është nën presion politik.
Ai akuzoi Parlamentin, pra, mazhorancën dhe opozitën bashkë; se kanë refuzuar t’i zgjasin mandatin prokurorisë speciale, duke e lënë drejtësinë “në ajër”.
Në realitet, kjo kritikë ishte më shumë për Edi Ramën, që e kontrollon politikisht procesin parlamentar dhe që prej kohësh kërkon mënyra për ta frenuar fuqinë e SPAK-ut.

Kjo përplasje vjen në një moment kur politika ka hedhur në tavolinë idenë e një reforme kushtetuese për krijimin e një Dhome të Dytë të Parlamentit, Senatin.
Ky projekt, që paraqitet si modernizim institucional, në thelb synon të krijojë një zonë imuniteti për elitën politike, një “dhomë izolimi” për deputetët, ish-ministra e drejtues që janë nën hetim.
Pra, është një plan mbrojtjeje për të vjetër e të rinj, që përballen me reformën e Drejtësisë që tani po troket në dyert e pushtetit.

Për ta kuptuar më qartë lojën, duhet rikthyer në një detaj të harruar. Ish-këshilltari i Fatos Nanos deklaroi kohët e fundit se në vitin 2012, Nano i kishte propozuar Sali Berishës “të vendosnin një kapak çeliku mbi pusetën e ujërave të zeza”, përndryshe “ajo do të shpërthente dhe do t’i merrte të gjithë”.
Kjo metaforë politike është sot më e gjallë se kurrë: Edi Rama po përpiqet të bëjë të njëjtën gjë; të vendosë një “kapak të ri” mbi pasojat e një reforme që tani ka filluar të godasë njerëzit e tij.

Ndërkohë, ndërkombëtarët nuk janë indiferentë.
Bashkimi Europian, përmes Komisionit për Punë të Jashtme, vazhdon të financojë Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), që mbikëqyr punën e SPAK-ut.
Këto fonde menaxhohen nga qeveria gjermane, e cila sot është kancelaria më me ndikim në mbështetjen e institucioneve të drejtësisë shqiptare.
Në anën tjetër, SHBA ka zbutur ritmin e financimeve, por jo interesin: vizita e Altin Dumanit në Departamentin e Shtetit dhe më pas e një zyrtari të lartë amerikan në Tiranë janë sinjale të koordinuara për të mos lejuar kthimin e kontrollit politik mbi drejtësinë.

Në këtë terren, lëvizjet e Ramës për të zëvendësuar SPAK-un me një “pool të ri kundër krimit të organizuar” nën varësinë e Prokurorisë së Përgjithshme, janë parë si tentativë për të zhbërë reformën nga brenda.
Ky projekt kërkon ndryshim kushtetues, që do të kalonte përmes “Komisionit Xhafa”, dhe do të zhvendoste kompetencat e SPAK tek një strukturë tërësisht e kontrolluar nga qeveria.
Nëse ndodh, kjo do të ishte goditja më e rëndë për sistemin e drejtësisë që prej vitit 2016.

Në sfondin e këtyre zhvillimeve qëndron përplasja e hapur mes Perëndimit dhe klasës politike shqiptare.
Në Bruksel e Washington, mesazhi është i qartë: Shqipëria duhet të prodhojë një klasë të re politike, të ndarë nga pandëshkueshmëria e tranzicionit.
Në Tiranë, ndërkohë, politika e vjetër po përpiqet të shpëtojë me çdo mjet, herë me reforma “institucionale”, herë me projekte “kushtetuese”.

Nëse SPAK vazhdon me këtë ritëm, hetimet që po hapen në prag zgjedhjesh nuk janë më as aksident, as nxitim: janë paralajmërim për fundin e një cikli politik.
Dhe nëse Rama beson se mund t’i mbulojë “ujërat e zeza” me kapakun e Senatit, duhet ta dijë se Presioni ndërkombëtar nuk lejon më as kapakë, as puseta…/Pamfleti

edi rama shba be presioni zgjatja e mandatit të spak

5 Komente

  1. J
    Jolanda Gurakuqi .

    Te vazhdojn njerzit e duhur qe mos te lejojn te bllokojn vendosjen e kapakut te ujrave te zeza . Ne veshin e duhur per zgjidhjen e ketij korrupsioni kaq te larte qe po bejn per kaq vite me rralle . Nuk po dojne me dite per kete popull vec per pasurin e tyre . Por jo vetem denim por edhe sekuestrim te parave te zhvatuna . Nqse ka zot gjykoft nder kto hajdduta .????

    1. S
      Sherifi

      Për të shpëtuar këta duhet të bëjnë disa murgje siç ka bërë greku dhe të futen atje dhe të hanë njëri tjetrin në murgje Duhet rregulluar Spaçi apo ndonjë zonë tjetër më mavri se Spaçi Dhe atje të kalben.

      1. F
        Feti Dema

        "Kapaku i Pusetës" nuk mund të mbyllej në vitin 2012. Ajo nuk mund të mbyllet as sot. Që të mbyllet duhet salduar me kapak flori. Kanë saldatriçe këta që ta ngjisin floririn në gizë? 'Gjermano- Amerikani' Tramp ua hodhi në det saldatriçen që në vitin 2016. Rama dhe Xhafa me notë qeni do ta nxjerin në breg rraqen?

        1. R
          R

          Rrofte koalicioni Rama-Berisha.

          1. L
            Leonard Pejo

            SPAK nuk ēshtē Dumani..! Dumani do mbetet ne SPAK... SPAK dhe drejtēsi..!

            Lini një Përgjigje