Kjo mënyrë i jep Berishës mundësi të futet në zgjedhje, por në letër asnjë kandidat nuk njihet që është i PD. Pra me pak fjalë, Berisha si “kryetar i PD” siç ai pretendon, nuk ekziston në fletën e votimit. PD zyrtare i takon Alibeajt...
Sali Berisha duket se nuk ka shumë kohë në avantazh sa i takon kalkulimeve për zgjedhjet vendore. Ndonëse ankimoi në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve vendimin e Celibashit, për sa kohë gjykata nuk e njeh si kryetar, ai nuk merr dot pjesë më 14 maj me logon e PD. Për këtë arsye rruga e vetme që i ka mbetur është të futet si koalicion dhe të përdorë logon e një prej partive aleate.
Sipas përcaktimeve në Kodin Zgjedhor, koalicionet kanë afat deri më 16 mars të regjistrohen për zgjedhjet vendore. Kjo do të thotë se Berisha deri të enjten duhet të zgjedhë se si do të futet në zgjedhje, pasi rrezikon të mbetet jashtë.
Deri më tani të vetmit që i kanë dalë në krah janë: Nard Ndoka, Sali Shehu, Ekrem Spahia, Adriatik Alimadhi, Kujtim Gjuzi, Kostaq Papa dhe Vangjel Dule. Po ashtu janë dhe Fatmir Mediu me Agron Dukën, të cilët janë disi më të tërhequr.
Por cila është skema që do të përdorë Berisha?
Partitë aleate të tija duhet të grupohen dhe të dalin me koalicion, të cilit duhet t’i vënë një emër. Ky koalicion do të ketë si kandidatë për kryetarë bashkish emrat e dalë nga “Primaret”, ndërsa sa i takon këshillave bashkiakë do të ketë një rakordim me aleatët ku mes kandidatëve do ketë dhe emra të tyre.
Pra i gjithë koalicioni duhet të shkojë me dy lista unike, një për kryetarët e bashkive dhe një për këshilltarët bashkiakë. Problemi është se logoja e PD nuk do figurojë askund. Vetë aleatë duhet të zgjedhin një parti që do e drejtojë koalicionin dhe do jetë ajo që do të bëjë dorëzimin e listave dhe gjithçka tjetër. Nëse Duka dhe Mediu nuk bien dakord, me shumë gjasë Berisha do përdorë partinë e Nard Ndokës për të marrë drejtimin e koalicionit.
Kjo mënyrë i jep atij mundësi të futet në zgjedhje, por në letër asnjë kandidat nuk njihet që është i PD. Pra me pak fjalë, Berisha si “kryetar i PD” siç ai pretendon, nuk ekziston në fletën e votimit. PD zyrtare i takon Alibeajt, gjithmonë nëse KQZ nuk bën ndonjë manovër dhe e lë jashtë.
Deri pak ditë më parë si kamardare shpëtimi shihej Ilir Meta, por ky i fundit ka vendosur të garojë i vetëm. Ai nuk nxori kandidatë për kryetarë bashkie, por do fokusohet vetëm te këshillat, çka do të thotë se më 14 maj do jetë përballë Berishës. Mbetet të shihet se si do përfundojë halli i Saliut, pasi nëse nuk vendos deri të enjten, zgjedhjet do i shohë nga televizori. /Pamfleti
Lini një Përgjigje