TAGS-AT E JAVËS

Kulture 8 Janar 2025, 13:04

“S’më lanë të vdisja në shtëpi”, brenga e 105 vjeçarit që u shua në qelitë e burgut të Tiranës

Shkruar nga Afrim Imaj

 

“S’më lanë të vdisja në shtëpi”,
Nikollë Bardhoku /

“E pashë të përhumbur një çast dhe i thirra: Baca Nikoll, baca Nikoll! Këtu, këtu më ke, u shpreh ai dhe si ktheu kokën anash pa vetëdije, shqiptoi fjalën e fundit të rrokëzuar “Shpë…tova”. Isha i vogël dhe nuk po kuptoja ç’po ndodhte, pa le të merrja vesh atë fjalë tmerruese “Shpëtova”. Thirra shokun që kisha pranë dhe u mblodhën të gjithë të burgosurit. Të qoftë dheu i lehtë baca Nikoll!, shqiptuan ata në një zë. Ej, ju aty, çfarë po bëni?, ia behu gardiani që dëgjoi zhurmën. Baca Nikoll vdiq, iu përgjigj njëri nga të dënuarit. E po pastaj?! Ia bëri gardiani i pashpirt…

Ka qënë më i vogli i burgjeve të komunizmit dhe nga tmerret e ditnetëve të qelive veçon dramën e më të moshuarit që u shua 105 vjeç në duart e tij. Lym Dedja, tashmë mbi të 90-tat, është nga Shpati i Tiranës, po ka vite që jeton në Kanada me djalin e vetëm. Në fillimin e viteve 50 kur vuante dënimin ka ndarë të njëjtën qeli me Nikoll Bardhokun nga zona e Kurbinit, që sëmundja dhe pleqëria e thellë e mbanin mbërthyer për krevati. Ajo çfarë ka parë e përjetuar nga bashkëjetesa me të, ka qënë sa e dhimbshme aq dhe tonditëse. Kam patur rastin tia tregoj historinë e Nikollës një gazetari kanadez, shprehet Lym Dedja, po më telendisi e më quajti plak mashtrues. Nuk e besonte kurrë një 105 vjeçar të dënuar. Kanë kaluar vite e dekada qysh atëherë, po atij nuk i është shqitur nga mendja portreti atij plakut të gjorë që lutej e përgjërohej veç ta lejonin të vdiste në shtëpi. Lym Dedja tregon se me dhjetra herë ka shkruar letrat që i diktonte Nikoll Bardhoku në adresë të drejtorit të burgut, të Presidentit të Republikës, të deputetit të zonës për ta mëshiruar që mos ti dilte shpirti në qeli. Po nuk ia vuri veshin njeri, shprehet shoku i qelisë dhe plaku i shpërfytyruar u shua një natë dhjetori me bregën e madhe që nuk do t’ia tresë dheu. Po çfarë kujton tjetër rreth kësaj historie për “Pamfletin” ish i dënuari më i vogël që ka parë nga afër vdekjen e lemerishme të më të mesharit të burgjeve të komunizmit…

Zoti Lym, ju njiheni si i dënuari më i vogël i burgjeve të komunizmit, çfarë kujtoni nga koha kur kalonit ditët e fëmijërisë në qeli?

Kam qenë 15 vjeç kur më arrestuan. Ishte shkurti i vitit 1952. Në burgun e Tiranës gjeta dhe dy tre moshatarë, pak më të rritur. Ishte vështirë sa nuk tregohet. Më vështirë ishte sidomos për të moshuarit që gjetëm aty. Ne, kuptohet, kishim ftohtë, kishim uri, ankoheshim dhe aty për aty harronim duke lozur me njëri tjetrin. Ata të gjorët rënkonin, dridheshin, thërrisnin me zë të mekur, po nuk ua vinte veshin njeri. Kishte dhe që vdisnin, i nxirrnin nga dera e pasme dhe i çonin për ti varrosur. Në varre që nuk i dinte njeri…

Kur thua të moshuar, ke parasysh të burgosurit më të rritur nga ju?

Kam parasysh pleq të kapërcyer në moshë, se kishte dhe të tjerë mesoburra. Po pleqtë vuanin më shumë. Çmë kanë parë këta sy? Për ta vdekja ishte mjaltë. Dhe shuheshin njëri pas tjetrit dita ditës. Çdo njëri një tragjedi më vete, një bregë që nuk e treste dheu…

Çfarë ju tregonin kur bisedonit me ta?

Fillonin me ato historitë e tyre dhe aty këtu u shkëputej filli i bisedës. Rrallë kishte që e çonin deri në fund atë që nisnin të tregonin. Mosha e madhe, po sidomos vujtjet e burgut, i kishin shpërfytyruar tërësisht. Kishte ndër ta që kishin humbur kujtesën dhe flisnin kodra pas bregut. Kishte të tjerë që vetëm rënkonin ditë natë.

Kishte mjedise të veçanta për të moshuarit?

Mjedise të veçanta thotë ky. Aty përplasur të gjithë si bagëtitë. Kush pyeste për fëmijë e pleq në atë geto të tmerrshme.

Çfarë ndodhte me të moshuarit e sëmurë, kishte shërbim shëndetësor, mjek apo infermierë në burg?

As bëhej fjalë për doktor e ilaçe. Ndoshta më vonë mund të kenë çuar doktor apo infermierë, por për sa kam qenë unë në burgun e Tiranës, nuk më zuri syri asnjë të tillë. Vetëm gardian kishte aty. Gardian pa shpirt..

Gardian pa shpirt? Çmund të bënte gardiani për një të dënuar të sëmurë?

E keqja nuk fillonte e mbaronte te gardiani, po përtej tij. Tek regjimi, te sistemi çnjerëzor. Gardiani ishte thjesht një mekanizëm i tij. Një mekanizëm i verbër që nuk i bënte përshtypje kur tjetri lëngonte e shuhej poshtë gjunjëve të tij…

Keni pasur rastin ta shikoni nga afër një ngjarje të tillë?

Kam parë disa, megjithëse më të rriturit na largonin sa herë kishte ngjarje të tilla. Në kujtesë më ka ngelur rasti i burrit më të moçëm të burgut që u shua në duart e mija. Deri atëherë nuk kisha parë si vdes njeriu, si i pushon zemra, frymarrja, çngjyrë i merr fytyra kur ndërron jetë.

Sa vjeç ishte ky burri më i moçëm i burgut të Tiranës?

Plotë 105 vjeç ishte. Këtë ma thoshte me gojë dhe kur nuk e besoja më tregonte pasaportën…

I burgosur 105 vjeç…

Kot nuk të thashë kushte çnjerzore, regjim çnjerzor. I gjori plak u lut e stërlut me dhjetëra herë te komandanti i burgut, te gardianët, tek qeveria, po nuk mori kurrë përgjigje. Amani, more, përgjërohej ai, më lini të vdes në shtëpi. Po kush ia vuri veshin. Se në fund të fundit aty nuk e kishin sjellë ta kthenin të vdiste në shtëpi, po ta lemerisnin të shuhej jo si qenie njerëzore në atë skëterrë. E gjitha kjo për hakmarrje shtetërore, vetëm e vetëm se djali i tij kishte thyer burgun dhe ishte arratisur…

Sa vite e kishin dënuar?

Në mos gaboj e kishin dënuar 25 vite. E kam fiksuar këtë se shpesh përmendte faktin që do dilte nga burgu 130 vjeç. E thoshte me shpoti sigurisht, megjithëse siç tregonte gjyshi i vet kishte jetuar 112 vite.

U kujtohet emri i të dënuarit 105 vjeç, nga ishte dhe sa vite kishte në burgun e Tiranës kur shkuat ju?

Nikoll Bardhoku e quanin. Ishte nga një fshat afër Milotit. Kur shkova unë, ai, si më tregonte, kishte katër vite aty. Pamja e tij, i lodhur, i sfilitur, i dërrmuar më tronditi që në takimin e parë. Gjatë gjithë kohës rrinte shtrirë dhe rënkonte me shpirt. Ushqimin ja jepnim në krevat. Madje dhe në banjë e shoqëronte ndonjëri nga ne. Ditë natë rrinte i përgjumur. Rrallë shumë rrallë mund komunikonte me të tjerët. Në pjesën më të madhe me shenja, se nuk artikulonte dot nga gjuha e trashur. Kishte muaj për mos të thënë vite i pa rruar. Pa le për tu larë. Mbaj mend që çdo mëngjes na zgjaste një copë leckë për ti larë sytë. Shkurt hesapi, i vdekur i pakallur…

I vinin familjarët në burg?

Ishte i vetmi i burgosur që nuk i vinte njeri. Se nuk kishte kush ti vinte. Gruaja kishte vite që i kishte vdekur. Dy djemtë që kishte ishin arratisur jashtë vendit dhe nuk ishin bërë të gjallë.

Me çfarë akuze ishte dënuar?

Unë atëherë isha i vogël e nuk kuptoja shumë nga këto gjëra. Për vete më kishin sjellë aty për rrahje, jo për politikë. Me sa më thoshte e kishin arrestuar se nuk kishte denoncuar djemtë që ishin arratisur. Ku merrja vesh unë me se merreshin djemtë, më thoshte, po hajde tu mbushje mendjen policëve. Dhe policët si policët e syrgjynosën në shtatë penxhere. Pastaj hetuesit, gjyqtarët bënë punën e tyre. I dhanë dënimin maksimal, të bindur padyshim që plaku nuk do arrinte kurrsesi ta çonte deri në fund vendimin e tyre. Kur e prangosën ishte 102 vjeç. Bëri tre vite dhe vdiq në burg. Po po vdiq para syve të mi. Mbylli sytë duke belbëzuar rrokje rrokje brengën që e gërryente në shpirt: Si nuk më lanë të vdisja në shtëpi!

Çfarë mbani mend nga çastet e fundit?

Ishte mbrëmje, një mbrëmje e ftohtë dhjetori. I shkova te krevati për ti dhënë bukën. Ishte i përhumbur si gjithnjë. Ma bëri me shenjë se nuk mundej të hante, Aty për aty më zgjati dorën dhe më tha ta çoja për ta mbështetur në bërryla. Ashtu bëra. Pastaj shqiptoi nëpër dhëmbë ato fjalët që të thashë. Mos baca Nikoll!, u mundova ta përmend. Përnjëmend e ke, ma bëri gati pa vetëdije dhe ktheu kokën anash me një psherëtimë të thellë. Baca Nikoll, baca Nikollë, thirra me zë të lartë gjithë ankth. Këtu, këtu më ke, u shpreh sakaq dhe shqiptoi fjalën e fundit të rrokëzuar “Shpë…tova”. Isha i vogël dhe nuk isha në gjendje të kuptoja çfarë po ndodhte, pa le të merrja vesh atë fjalë tmerruese “Shpëtova”. Thirra shokun që kisha pranë dhe përnjëherësh u mblodhën të gjithë të burgosurit. Të qoftë dheu i lehtë baca Nikollë!, shqiptuan ata në një zë me fytyrë nga ai. Ej, ju aty, çfarë po bëni?, ia behu gardiani që dëgjoi zhurmën. Baca Nikoll, baca Nikoll vdiq, iu përgjigj njëri nga të dënuarit. E po pastaj?! Ia bëri gardiani i pashpirt…/Pamfleti

nikollë bardhoku

Lini një Përgjigje