TAGS-AT E JAVËS

Kulture 1 Korrik 2025, 16:09

Një vit pa Ismail Kadarenë, kolosin që nuk do të harrohet kurrë!

Shkruar nga Pamfleti

Një vit pa Ismail Kadarenë, kolosin që nuk do të harrohet

Në përvjetorin e parë të ndarjes nga jeta të shkrimtarit më të madh shqiptar, u organizua një homazh ku u rikthye zëri i tij, u vlerësua disidenca e heshtur dhe u kujtua trashëgimia që sfidon kohën dhe regjimet...

Sot mbushet një vit nga ndarja nga jeta e Ismail Kadaresë, shkrimtarit që i dha zë Shqipërisë përtej kufijve, në një kohë kur vetë fjala ishte nën censurë.

Në një aktivitet përkujtimor të mbajtur në Tiranë, ndër zëra librash dhe fjalësh të përzgjedhura, u risoll zëri i tij, duke recituar poezitë që vetë shkroi dhe që e bënë të pavdekshëm.

Elena Kadare foli me emocion për rolin e tij në një shoqëri ku mbijetesa ishte sfidë, e krijimi një akt rebelimi. “Ashtu si mbijetoi shqiptari, mbijetoi edhe Ismaili", u shpreh ajo. Aktiviteti mblodhi figura nga letrat, politika dhe jeta publike, të cilët ndanë kujtime dhe vlerësime për një kolos që e shkroi jetën mes rreshtave, por edhe mes rreshtave të heshtjes së një regjimi.

Një vit pa Ismail Kadarenë, kolosin që nuk do të harrohet

Kur bëhet fjalë për figurën e Ismail Kadaresë unë jam e ndjeshme ndaj tonit elitar të folësve dhe vlerësimin që iu bë veprës së tij. Të gjithë e dimë që historia jonë ka qenë lufta për të mbijetuar, për të ekzistuar në tallazet tragjike dhe dramatike të shovinizmave dhe egoizmave çmendurake si pjesë e marrëzisë së botës ku jetojmë”, vijoi Helena Kadare.

Studiuesi Piro Misha nënvizoi se, ndonëse Kadare nuk mund të ishte disident në formën klasike perëndimore, vepra e tij ishte një kundërkulturë ndaj propagandës zyrtare. “Në radhë të parë, duhet kuptuar që Shqipëria e kohës së Enver Hoxhës nuk ishte Çekia e Václav Havel apo Polonia e kohës. Në Shqipëri ishte e pamundur të kishte disident politik të tillë si Václav Havel që ishte në burg. Ismail Kadareja nuk mund të ishte disident politik i tillë, se ishte e pamundur në atë kontekst, por vepra e Ismail Kadaresë, për të gjithë ata që kanë jetuar atë kohë, kishte komponentë të qartë disidence ndaj vizionit të regjimit për botën, ishte një lloj kundër kulture e narrativës që kishte regjimi për letërsinë”, tha Pirro Misha.

Një vit pa Ismail Kadarenë, kolosin që nuk do të harrohet

Ndërsa botuesi Bujar Hudhri theksoi se Kadare iku i qetë; kishte përfunduar vetë përmbledhjen e plotë të veprës së tij në shtatë volume me mbi 7 mijë faqe, një testament i shkruar me vetëdije dhe përkushtim.

Kadare mbetet jo vetëm emri më i madh i letërsisë shqipe, por edhe një nga autorët më të përkthyer në botë, me veprat e tij të shpërndara në mbi 45 gjuhë.

Ismail Kadare lindi në Gjirokastër më 28 janar 1936 dhe që në rininë e hershme u shqua për talentin e tij si poet e më pas si romancier. Romani që i dha famë ndërkombëtare ishte “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, botuar më 1963, i përkthyer në mbi 45 gjuhë.

Një vit pa Ismail Kadarenë, kolosin që nuk do të harrohet

Në dekada, ai ndërtoi një univers letrar unik, duke përdorur mitin, simbolikën dhe historinë si armë ndaj diktaturës. Vepra si “Pallati i ëndrrave” apo “Prilli i thyer” mbeten dëshmi të fuqisë së fjalës në një regjim të heshtjes.

Kadare ishte laureat i çmimeve më prestigjioze ndërkombëtare, mes të cilëve Man Booker International, Jerusalem Prize dhe Neustadt Prize. U nderua me “Legjionin e Nderit” nga shteti francez, ku jetoi pjesën më të madhe të kohës pas vitit 1990. U propozua disa herë për çmimin Nobel, të cilin, megjithëse nuk e fitoi zyrtarisht, e kishte fituar në ndërgjegjen e lexuesve.

Në këtë 1-vjetor, nuk u përkujtua thjesht një shkrimtar, por një epokë. Një zë që nuk u nënshtroi. Një shqiptar që i dha botës një letërsi dinjitoze, të thellë dhe universale. Një penë që nuk vdes.

Lini një Përgjigje