TAGS-AT E JAVËS

Kulture 5 Gusht 2024, 15:22

I dashuri i vajzës së gjeneralit rus, piloti shqiptar që u vra në Siberi

Shkruar nga Afrim Imaj

 

I dashuri i vajzës së gjeneralit rus, piloti shqiptar që u vra
Qemal Mërtiri /

“Kur po bënim ceremonialin ushtarak, një studente, veshur me të zeza, u afrua duke qarë dhe vendosi mbi varrin e Qemalit një tufë të madhe me lule. Rusja me emrin Natasha, vajza e një gjenerali të famshëm që ishte vrarë në Stalingrad, u rikthye disa herë te varri i të dashurit të saj dhe u nda me ne në fund, duke na premtuar se do të vinte shpesh aty, për mos t’i lënë lulet të vyshken”.

“Me pilot si Qemal Mërtiri mund të krenohet çdo komandant.  Qetësia, guximi dhe këmbëngulja me të cilën nënshtron avionin për çdo veprim e bëjnë të gjithpushtetshëm për çdo manovër me të në ajër...”. Pastaj koloneli i aviacionit rus, Duvakin, komandant i shkollës së aviacionit “Maria Raskova”, i hidhte dorën mbi supe pilotit shqiptar, Qemal Mërtiri, dhe i uronte suksese në fluturimin e radhës. Kështu ndodhi edhe atë pasdite tetori të vitit 1951, kur shoku ynë u ngrit në qiell dhe nuk u kthye më”.

Me këto dy çaste emocionale nga aeroporti i Koçenjevos në Novosibirs të Siberisë, e nis kujtimet për shokun e tij, Flamur Micko, një nga veteranët e Aviacionit shqiptar. Shoku i tyre, që atë ditë do të fluturonte për herë të fundit, kishte lënë prapa shembullin e pilotit të talentuar e të guximshëm, por edhe jetëshkrimin e protagonistit që e kishte jetuar kohën me vrullin e saj. Sakaq, Qemal Mërtiri, me vdekjen e papritur dhe ceremoninë mortore në dhe të huaj, do të sillte në Shqipëri edhe një mister që vitet e brezat do t’ia transmetonin njëri-tjetrit si të tillë…

Një jetë në rrugëtimin: Tragjas-Novi Pazar-Siberi

U nis nga Tragjasi kur ishte ende i ri, përshkoi Novi Pazarin dhe pushoi përjetësisht në Novisibisk të Siberisë. Në këtë rrugëtim djaloshi nga Vlora, që fill pas luftës iu përkushtua profesionit të pilotit, daltuar në karakterin e tij mjaft gjëra nga epopeja e betejave partizane. Vullneti, qëndrueshmëria e lart dhe reagimi i guximshëm, e bënin Qemal Mërtirin të dallonte mes shokëve në përpjekjet për të përvetësuar të panjohurat e gjigandit të ajrit. “Ai u ul në kabinën e avionit nga radhët e brigadave partizane”, pohon Flamur Micko, që ka pasur rastin të jetë ndërkaq një nga bashkëluftëtarët e tij në repartet partizane. Ende i ri Qemal Mërtiri ishte bërë pjesë e lëvizjes antifashiste. Në fillim në vendlindje, e pastaj më tej me luftëtarët e Brigadës së Pestë Sulmuese për ta përmbyllur me inkursionin luftarak jashtë kufijve të vendit për çlirimin e trojeve të Kosovës, Sanxhakut e Novi Pazarit. Ishte ky misioni që do ta burrëronte para kohe e do ta bënte të njohur në një rreth shumë të gjerë shokësh e miqsh. Triumfi i fitores do ta kthente vetëm për pak ditë te nëna që e priste e përmalluar aty, në rrëzë të maleve të Labërisë. Pastaj, antifashisti i orëve të para, do të merrte sërish rrugë, këtë radhë për t’u shkolluar. “Qemali, shton Micko, ishte në grupin e parë të antifashistëve shqiptarë që hapën shkollën e parë ushtarake në Shqipëri”. Vitet e skënderbegasit do të rridhnin shpejt, e ai me diplomën e shkëlqyer, do të vijonte studimet e mëtejshme, këtë radhë jashtë shtetit, në shkollën e lartë të aviacionit në Rusi. Në pak vite Qemal Martiri do të diplomohej si pilot gjuajtës, në akademinë “Maria Raskova” duke u regjistruar kështu në grupin e parë të pilotëve shqiptarë pas Luftës së Dytë Botërore. Treguesit e lartë dhe përballimi i testeve të mëtejshme i dhanë mundësinë për të vazhduar studimet kualifikuese në shkollën e lartë të aviacionit luftarak “Flamur i Kuq” në Siberi, për përvetësimin e aeroplanëve gjuajtës-kapës me destinacion zbulimin dhe asgjësimin e avionëve kundërshtarë që do të cënonin sovranitetin ajror të Shqipërisë. “Ishim shtatë veta nga Shqipëria në këtë shkollë, kujton Micko. Qemali nuk dallonte vetëm mes nesh, por në tërë efektivin e studentëve. Mbaj mend vlerësimet e shkëlqyera që bënte për të komisari i shkollës, kolonel Vollkoll, një nga aviatorët me emër të Stalingradit, i cili thoshte shpesh se, me një pilot si Qemali do të krenohej çdo lloj komandanti. “Shqiponjë e maleve të shqiponjave” e përshëndeste me një ndjenjë të veçantë sa herë që kthehej nga fluturimet e vështira, ku realizonte figura të pilotazhit të lartë. Emri i tij kishte dalë edhe përtej auditorëve të shkollës. “Piloti nga Shqipëri që shkëlqen në fluturim”, siç i thoshin vajzat e gjimnazit pranë aeroportit, u bë një figurë e dashur edhe për to….”

Shqiptari që guxoi të realizonte “Ranvesmanin”

Qemal Mërtiri ishte shqiptari i parë që guxoi të realizonte ushtrimin “Ranvesman”. Më shumë se guxim, ishte aventurë e jashtëzakonshme. Sfida “Ranvesman” kishte marrë emrin e pilotit gjerman që kishte mundur ta bindte avionin në një fluturim spektakolar dhe mjaft të rrezikshëm. Aventurën e tij e kishin ndjekur më vonë pilotët më të mirë të ish-Bashkimit Sovjetik, po në mjaft raste risku kishte qenë tragjik. Dëshira për t’u ngjitur te “Ranvesmani”, më në fund kishte ndezur edhe fantazinë e aviatorit nga Shqipëria, që ishte vetëm 22 vjeç. Dhe, “piloti që hipte në kabinën e avionit si mbi shpinën e kalit të vendlindjes”, një pasdite tetori, teksa përfundonte fluturimin e radhës, do të provonte të sfidonte “Ranvesmanin”…

Flamur Micko, që e ka përjetuar nga afër fluturimin e rrallë, e sjell me detaje atë që ndodhi në aeroportin e Koçinjevos pasditen e 12 tetorit të vitit 1951: “Ato ditë vazhdonim stërvitjen për t’u aftësuar në përdorimin luftarak të aviacionit dhe realizimin e ushtrimeve të pilotazhit të lartë. Ishte kjo një detyrë që realizohej në repartet e aviacionit, por meqenëse në vendin tonë akoma nuk ishin krijuar ato, me mirëkuptimin e autoriteteve përkatëse, do ta zhvillonim në shkollën “Flamur i Kuq”, sipas një programi special. Përvetësimi i tij nënkuptonte zgjidhje detyrash luftarake në ajër. Vazhduam disa ditë me fluturime intensive ku përpunonim ushtrime e figura komplekse, që kanë të bëjnë me cilësitë e pilotazhit të lartë. Kështu ndodhi edhe pasditen e 12 tetorit. Qemal Mërtiri ishte planizuar për fluturim me avionin JAK-9V në turin e dytë, që fillonte aty nga ora 16. U ngit në ajër, zgjidhi detyrat e dhëna në lartësinë mbi 3000 metra dhe teksa po kthehej, i kërkoi udhëheqësit të fluturimit, major Duvakinit, të kalonte në figurën Ranvesman. Pas hezitimit të këtij të fundit, do të vazhdonte këmbëngulja e Qemalit. Dhe aty për aty avioni ndërroi kurs, mori lartësi dhe filloi “vallen” Ranvensman. Pak çaste doli në pikiadë, u ngjit sërish, bëri palosjen 180 gradë dhe atëherë kur do të ulej, humbi nga kontrolli duke u futur në katastrofë ajrore, siç i themi ne pilotët. Në çast aeroportin e mbuloi heshtja. Tashmë, avioni dhe piloti, të bërë një trup i vetëm, ishin futur në thellësitë e tokës. Vrapuam për aty. Gjithçka kishte marrë fund. Ata të dy që vetëm pak momente më parë “loznin” Ranvesmanin në ajër, pushonin pa jetë në tokë. Aeroporti. Gjithçka ishte bërë shkrumb e hi. Mblodhëm çfarë gjetëm nga trupi i Qemalit dhe u kthyem me lot në sy në akademi. Heshtjen e dhimbjes provoi ta thyente i pari gjenerali. “Mbahuni vëllezër, na tha. Ju humbët një nga shokët më të mirë dhe ne një nga krenaritë e shkollës. Bashkë do ta kujtojmë gjithmonë Qemalin, pilotin trim dhe njeriun e guximit të jashtëzakonshëm. “Ranvesmani” shqiptar do të jetë gjithmonë i pranishëm në auditorët tanë në tokë dhe në qiell…”

Natasha, rusja që çonte lule te varri i Qemalit

Qemal Mërtiri do të përcillej për në banesën e fundit të nesërmen, ditë e 13 tetorit. Kortezhi i përmotshëm i përbërë nga qindra e qindra studentë e banorë të qytetit do t’i bënte nderimet dhe homazhet mortore. Mbi trupin pa jetë të pilotit të vrarë, do të fliste i pari komandanti i shkollës, gjeneral Dushtini. Në fjalën e tij do të dëgjoheshin ato që thoshte shpesh për pilotin nga Shqipëria. “Ne përcjellim sot një nga pilotët më të mirë të shkollës “Flamuri i Kuq”. Ne ndahemi sot me aviatorin që punonte shumë e guxonte në mënyrë të jashtëzakonshme në ajër. Qemal Mërtiri ishte aviatori që hipte në kabinë si mbi shpinën e kalit të vendlindjes dhe ndjehej i sigurt e i pushtetshëm në çdo veprim i manovër. Lamtumirë shoku ynë i pavdekshëm! Lamtumirë “Ranvesmani” shqiptar!...”

Ndërsa e ka fiksuar të plotë dhimbjen e çasteve të ndarjes me shokun e tij, Flamur Micko që ka pasur rastin të mbajë fjalën e lamtumirës në atë ceremoni, kujton edhe një detaj tjetër, që lidhet me emrin e një vajze ruse. “Kur ne vazhdonim ceremonialin ushtarak, një studente, veshur me të zeza, rregullonte herë pas here lulet e shumta mbi varrin e Qemalit dhe qante e qante me dënesë. Rusja me emrin Natasha do të kthehej disa herë te varri i të dashurit të saj dhe do të ndahej me ne në fund, duke na premtuar se do të vinte shpesh aty, për mos t’i lënë lulet të vyshken. Vetëm në pak kohë ajo kishte fituar zemrën e shokut tonë dhe ndjehej e tronditur dyfish kur kujtonte që dy njerëzit më të dashur të saj, “kishin pasur një vdekje në ajër”. Natasha ishte vajza e vetme e komandantit të skuadriljes së famshme të aeroplanëve “YLL-2”, që ishte vrarë në betejat e Stalingradit gjatë një dyluftimi në ajër. Ajo ishte nga të paktat vajza ruse, që kishte arritur të komunikonte edhe në shqip...”/Pamfleti

qemal mërtiri siberia vajza e gjeneralit rus

Lini një Përgjigje