TAGS-AT E JAVËS

Kulture27 Prill 2025, 12:38

Dalin pamjet e para nga varri i Papa Françeskut në Romë; një trëndafil i bardhë në gurin e thjeshtë, simbol i modestisë së tij

Shkruar nga Pamfleti

Dalin pamjet e para nga varri i Papa Françeskut në Romë;

Pelegrinët kanë nisur homazhet e para në kishën Santa Maria Maggiore, ku Ati i Shenjtë kishte kërkuar të prehej, duke sfiduar traditën që Papët të varrosen brenda Vatikanit; funerali madhështor u kthye edhe në skenën e një takimi historik mes Trump e Zelensky

Janë publikuar pamjet e para të varrit të Papa Françeskut në bazilikën Santa Maria Maggiore në Romë, një vend që Ati i Shenjtë e kishte zgjedhur personalisht për të prehur përgjithmonë. Në gurin e thjeshtë që mban emrin e tij papnor, i ndriçuar lehtë nga një projektor dhe me një kryq të thjeshtë sipër, u pa i vendosur një trëndafil i vetëm i bardhë, simbol i modestisë dhe përkushtimit që e karakterizoi papatin e tij.

Papa Françesku, që u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare, ishte i njohur për lidhjen e tij të veçantë me Virgjëreshën Mari, duke zgjedhur këtë kishë – të parën e ndërtuar në nder të saj në shekullin e IV – si vendin e fundit të pushimit të tij.

Në orët e para të mëngjesit të së dielës, mijëra besimtarë dhe pelegrinë u mblodhën jashtë bazilikës për të bërë homazhet e para ndaj Papës së ndjerë, një figurë e dashur për thirrjet e tij të vazhdueshme për paqe dhe solidaritet.

Funerali madhështor që u zhvillua një ditë më parë në Vatikan u kthye në një ngjarje historike me pjesëmarrjen e krerëve të shteteve, qeverive dhe familjeve mbretërore nga e gjithë bota. Në mes të atij momenti solem, pati edhe një takim të rëndësishëm mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe atij ukrainas Volodymyr Zelensky, takim ky që u vlerësua nga Zelensky si një pikë kthese potenciale në konfliktin 3-vjeçar në Ukrainë.

Më pas, kortezhi funeral kaloi nëpër rrugët kryesore të Romës, ku mbi 140,000 njerëz duartrokitën e përshëndetën kalimin e arkivolit, duke e shoqëruar nëpër monumentet më të njohura të kryeqytetit italian.

Ndërkohë, pas përfundimit të ceremonive mortore, vëmendja tashmë do të zhvendoset drejt zgjedhjes së Papës së ardhshëm, me konklavën që pritet të jetë më e madhja në historinë moderne dhe mund të nisë brenda javës së parë të muajit maj./Pamfleti

varri i papa françeskut trendafili i bardhë

Lini një Përgjigje