
Ngjarja e ndodhur mbrëmë në Korçë, në zonën e parkut, ka marrë përmasa më të qarta. Burime pranë hetimit bëjnë me dije se sherri ka nisur mes dy grupe të rinjsh që ndodheshin në një lokal, dhe është përshkallëzuar deri në përdorimin e thikës.
Si pasojë e konfliktit, dy persona kanë mbetur të plagosur dhe ndodhen në spitalin e Korçës nën kujdesin e mjekëve. Njëri prej tyre raportohet të ketë marrë plagë në bark dhe gjendja e tij paraqitet më e rëndë krahasuar me të tjerët.
Nga informacionet e para, motivet e sherrit kanë qenë banale, por situata ka dalë shpejt jashtë kontrollit. Policia ka ndërhyrë në vendngjarje dhe ka shoqëruar 3 persona të përfshirë.
Në komisariat janë shoqëruar Ilir Shuku, Dritan Pine dhe Gersi Dervishi. Aktualisht, po merren dëshmitë e tyre për të zbardhur plotësisht rrethanat.
Kjo është ngjarja e dytë e dhunshme në qarkun e Korçës brenda pak ditësh, pas plagosjes së një 28-vjeçari në Pirg të Maliqit, duke e kthyer zonën në një vatër shqetësuese të dhunës mes të rinjve.
"Rreth orës 21:30, në lagjen nr. 1, Korçë, në ambientet e një lokali, gjatë një konflikti për motive të dobëta, janë dëmtuar, dyshohet me mjet prerës (thikë), shtetasit S. Sh. dhe M. Xh., të cilët po marrin ndihmë mjekësore në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme, tre shtetas të tjerë të përfshirë në konflikt, të dyshuar si autorë, konkretisht shtetasit I. Sh., D. P. dhe G. D.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes", tha policia.
Lini një Përgjigje