Dorjan Keqi, i akuzuar si autor i vrasjes Saimir Jakut, së ish-drejtorit të OST-së në Rrëshen në 2016 është dënuar me burgim të përjetshëm.
Gjykata e Lezhës ka dënuar me burgim të përjetshëm vrasësin me pagesë Dorjan Keqi, i cili ishte vënë nën akuze si bashkëpunëtor në vrasjen e ish-drejtorit të Tensionit të Lartë për Veriun, Saimir Jaku, ngjarje e ndodhur në vitin 2016-të në Rrëshen.
42-vjeçari nga Kruja me banim në Kurbin, u gjet fajtor për veprat penale "Vrasja në rrethana të tjera cilësuese" e kryer në bashkëpunim dhe "Armëmbajtja pa leje".
Ashtu si dhe në momentin e arrestimit edhe gjatë gjykimit në themel të çështjes, Dorjan Keqi ka mohuar në vazhdimësi të ketë lidhje me krimin, duke refuzuar që të bëhet dhe bashkëpunëtor i drejtësisë në këmbim të lehtësimit të pozitave penale.
Por organi i akuzës përmes provave shkencore arriti të zbardhë ngjarjen pas 7 vitesh nga vrasja e zyrtari të OST në Rrëshen, duke provuar fajësinë për Dorjan Keqin.
40-vjeçari Keqi u arrestua në shtator të vitit 2022 nga Policia me urdhër të Prokurorisë së Lezhës. Ai u zbulua në bazë të gjurmëve të gishtave që kishte lënë te bidoni me benzinë që u gjet në vendin ku autorët kishin djegur makinën pas krimit.
Ish-drejtori i OST-së për Veriun, Saimir Jaku, u ekzekutua me 9 shtator të vitit 2016-të. Ai u sulmua me breshëri automatiku nga dy persona, teksa po pinte kafe në një lokal në Rrëshen bashkë me një mikun e tij i cili nga të shtënat mbeti i plagosur.
Autorët e ngjarjes të cilët mendohet të kenë qenë 3 persona mes të cilëve dhe Dorjan Keqi, arritën të largohen me një automjet tip “Benz”, i cili pas ngjarjes u gjet i djegur në një fshat të Kurbinit.
Lini një Përgjigje