
Dy persona kanë rënë në prangat e policisë në Vlorë, pasi vodhën një kasafortë me 15 mijë euro në një banesë.
Ngjarja ka ndodhur më 2 qershor, në rrugën “Muhamet Gjollesha”, ku një 40 vjeçar, dhe një 38 vjeç, të dy banues në Vlorë, dyshohet se kanë hyrë në një banesë dhe kanë marrë kasafortën.
Të arrestuarit rezultojnë me precedentë penalë për vjedhje, ndërsa njëri prej tyre, ndodhej në arrest shtëpie për të njëjtën vepër penale.
Gjatë hetimeve u identifikua edhe automjeti i përdorur nga autorët për të realizuar vjedhjen, i cili është sekuestruar nga policia.
"Finalizohet operacioni policor i koduar “Reagimi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes.
Vodhën kasafortën me 15 000 euro, në një banesë, identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas.
Të 2 të arrestuarit, të dënuar më parë për vjedhje. Njëri prej tyre, aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për këtë vepër penale.
Sekuestrohet automjeti i dyshuar i përdorur nga autorët, për të realizuar vjedhjen.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, pas kallëzimit nga një shtetas, se i kishin vjedhur kasafortën me një shumë parash, në banesë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Reagimi”, për zbardhjen e rastit.
Si rezultat i operacionit u identifikuan, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:
A. Xh., 40 vjeç dhe L. Gj., 38 vjeç, të dy banues në Vlorë, të dënuar më parë për vjedhje. Nga verifikimet rezultoi se shtetasi A. Xh. ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Vjedhja”.
Nga hetimet e kryera gjatë operacionit dyshohet se këta shtetas, më datë 02.06.2025, kanë vjedhur një kasafortë me 15 000 euro, në një banesë në rrugën “Muhamet Gjollesha”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme", njofton policia.
Lini një Përgjigje