
Gani Roçi, 22-vjeç, ka rënë në prangat e policisë pasi theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për shitje të dozave të kanabisit.
Uniformat blu bëjnë me dije se 22-vjeçari u ndalua, teksa ishte larguar nga banesa për të kryer të njëjtën veprimtari kriminale.
Nga kontrolli fizik, në lagjen nr. 17, 22-vjeçarit iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde narkotike cannabis sativa, e ndarë në doza të gatshme për shitje. Policia ka arrestuar të riun, ka sekuestruar sasinë e lëndës narkotike dhe ka referuar në prokurori materialet në ngarkim të tij.
“Si rezultat i kontrolleve të kryera në vijim të megaoperacionit policor antidrogë të koduar “Tempulli”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, të mbështetur te informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, goditën një tjetër rast të veprimtarisë kriminale të shitjes në doza, të lëndës narkotike cannabis sativa, për të cilin u arrestua në flagrancë shtetasi G. R., 22 vjeç, banues në Durrës.
Në vijim, nga verifikimet rezultoi se shtetasi G. R. aktualisht ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Lini një Përgjigje