TAGS-AT E JAVËS

Kronike30 Nëntor 2025, 10:41

Transportoi me varkë drejt Tropojës drogë, eksploziv dhe municion luftarak, arrestohet 29-vjeçari

Shkruar nga Pamfleti

Transportoi me varkë drejt Tropojës drogë, eksploziv dhe municion

Një 29-vjeçar nga Puka është vënë në prangat e policisë, pasi u kap duke transportuar me varkë drejt Tropojës një sasi droge, eksploziv dhe municion luftarak.

Policia informon se 29-vjeçari Gjon Gjon Pepgjonaj alias Lek Gjon Pepgjonaj, e kishte transportuar drogën, municionet dhe ekspozivin me varkë nëpërmjet liqenit, nga fshati Apripë, Pukë, deri në Tropojë me qëllim për t’i dërguar më pas në Kosovë.

Gjatë operacionit u sekuestruan 1.2 kilogramë lëndë narkotike kanabis, 405 gram tritol, 51 kapsolla detonatore, 5 m fitil zjarrpërcjellës, municion luftarak, si dhe një sasi lekësh.

Sakaq, hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të rastit si dhe për identifikimin e personit që t’i blinte në Kosovë.

"Sekuestrohen 1.2 kilogramë lëndë narkotike kanabis, 405 gram tritol, 51 kapsolla detonatore, 5 m fitil zjarrpërcjellës, municion luftarak, si dhe një sasi lekësh.

Shërbimet e DVP Kukës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë dhe me mbështetjen e shërbimeve të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas do të transportonte drejt Kosovës një sasi lëndë narkotike dhe lëndë eksplozive, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Varkëtari”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi L. P., 29 vjeç, banues në Pukë.

Ky shtetas u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në fshatin Dushaj, duke lëvizur me automjetin tip “Volkswagen”, në të cilin kishte fshehur në brendësi të bagazhit lëndën narkotike, eksplozivin dhe municionin luftarak, të cilat dyshohet se i kishte transportuar me varkë nëpërmjet liqenit, nga fshati Apripë, Pukë, deri në Tropojë, ku kishte parkuar automjetin me qëllim shmangien e kontrollit të Policisë.

Në bashkëpunim me Prokurorinë dhe me homologët e Kosovës vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti, me qëllim identifikimin dhe kapjen e personit që do t’i blinte në Kosovë", njofton policia.

Transportoi me varkë drejt Tropojës drogë, eksploziv dhe municion

Lini një Përgjigje