
Sylvain Mardon dhe Clarisse Estelle Matte janë arrestuar pasi tentuan të dilnin nga Shqipëria me një automjet kamper, ku kishin fshehur armë sportive dhe kanabis.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Exit”, në dalje të Republikës së Shqipërisë, u konstatua se në automjetin kamper, me drejtues shtetasin francez Sylvain Mardon dhe ku ishte pasagjere shtetasja franceze Clarisse Estelle Matte, ishte përshtatur një hapësirë, për fshehjen e një arme sportive dhe të një sasie lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës, u arrestuan në flagrancë shtetasit nga Franca, Sylvain Mardon, 25 vjeç dhe Clarisse Estelle Matte, 28 vjeçe, të dy banues në Francë. Gjithashtu, u sekuestruan si provë materiale, arma sportive dhe sasia e lëndës narkotike cannabis sativa.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Lini një Përgjigje