
Arrestohen dy inspektorë të IMT në Tiranë, në kërkim shoferi i drejtorit...
SPAK ka zbritur në terren për të goditur një nga skemat më të përhapura të korrupsionit në institucionet vendore, abuzimin me lejet e ndërtimit dhe “shërbimin” e ryshfetit për të toleruar ndërtime pa leje.
Në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, është zhvilluar një operacion i posaçëm ndaj Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Tiranë (IMT), duke çuar në arrestime dhe shpallje në kërkim të punonjësve të kësaj strukture.
Burimet raportojnë se deri tani janë vënë në pranga dy zyrtarë të IMT-së, ndërsa dy të tjerë janë në kërkim. Hetimet nisën pas një denoncimi konkret, ku qytetarë dhe përfaqësues biznesesh pohuan se punonjës të IMT-së u kërkonin para në këmbim të mosveprimit për ndërtimet pa leje.
Në pranga ranë Greald Fuçia dhe Edmond Çela. Ata ndodheshin së bashku në një lokal të njohur në zonën e Kombinatit në kryeqytet në momentin kur u arrestuan. Ndërkohë mësohet se është në kërkim Klajdi Zhilla dhe një person tjetër.
SPAK dyshon se ky është vetëm fillimi i një skeme të gjerë korruptive, që përfshin jo vetëm inspektorë të zakonshëm, por edhe drejtues lokalë dhe persona me lidhje të forta politike. Struktura e Posaçme ka sinjalizuar se hetimet do të shtrihen në disa bashki ku fenomeni është bërë “rregull loje”, jo përjashtim.
Paradite, Policia arrestoi në Durrës ish-kryeinspektorin e IMT-së, Ardian Halili, i cili akuzohet për ndërtim të paligjshëm në zonën turistike të Ishmit. Sipas dosjes hetimore, Halili ka ndërtuar disa vila pushimi pa leje, duke falsifikuar dokumentet dhe duke shfrytëzuar funksionin publik për përfitim personal.
Ky nuk është rast i izoluar. Në Jalë, Dhërmi, Tiranë e më tej, ndërtimet pa leje po lulëzojnë me bekimin e heshtur të IMT-ve, ndërsa qytetarët që denoncojnë marrin përgjigje standarde dhe procedura që nuk përfundojnë kurrë.
SPAK ka në dorë të tregojë se lufta kundër korrupsionit nuk mbyllet me arrestime periferike. Nëse duam një shtet ligjor, hetimet duhet të shkojnë deri tek ata që japin urdhra, jo vetëm tek ata që i zbatojnë për një rrogë më shumë.
Lini një Përgjigje