
28-vjeçari shqiptar, i dënuar për vjedhje dhe depërtuar disa herë, tallet hapur me Home Office përmes luksit dhe videove në TikTok
Dorian Puka, 28-vjeçari shqiptar me një histori të gjatë përplasjesh me ligjin në Mbretërinë e Bashkuar, është rikthyer në vëmendjen e mediave britanike, këtë herë për shkak të një targe të personalizuar në makinën e tij luksoze me vlerë 80 mijë paund.
Sipas “The Telegraph”, shqiptari i shumëkërkuar për autoritetet angleze nuk fshihet më; përkundrazi, sfidon hapur sistemin me video të publikuara në rrjetet sociale, ku tregon se si lëviz lirshëm në Londër.
Puka, i cili është deportuar disa herë nga Britania për vjedhje dhe hyrje të paligjshme, ka shpërndarë video teksa udhëton me makinë në autostradën M25 dhe drejt Oxfordit, ndërsa pret shqyrtimin e kërkesës për azil. Gjatë kësaj kohe, autoritetet britanike nuk kanë të drejtë ta dëbojnë, një “vakum ligjor” që ai duket se po e shfrytëzon maksimalisht për të sfiduar Ministrinë e Brendshme.
Karriera kriminale e Pukës fillon që në vitin 2016, kur u arrestua për vjedhje dhe u dënua me 9 muaj burg. U deportua një vit më vonë, por arriti të rikthehej sërish në Britani dhe të kryente një seri grabitjesh në Londër, derisa u kap me një orë të shtrenjtë të vjedhur dhe u burgos për tre vjet e gjysmë. Edhe nga burgu, ai nuk ndaloi së postuari, duke publikuar foto me bosë të krimit të organizuar dhe duke u shfaqur si “ylli” i errët i rrjeteve sociale.
Pas një ekskursioni përmes Gjermanisë, Belgjikës dhe Holandës, Puka thotë se hyri sërish në Britani në dhjetor 2020. Tani, me video që tregojnë makina luksoze si Ferrari, orë Rolex dhe apartamente me qira të majme, ai po përdor internetin si mjet për t’u tallur me sistemin britanik të drejtësisë.
Në një moment, ai ironizoi edhe politikanin britanik Nigel Farage, i cili e kishte përshkruar si “njeri të gabuar që lëviz kudo nëpër autoritetet britanike”. Puka iu përgjigj me foto të vetes duke ngrënë e pirë dhe një imazh të përpunuar ku Farage bën shenjë miratimi.
Burimet e të ardhurave të Pukës janë ende të paqarta, por jetesa e tij luksoze në një apartament në Hounslow dhe mjetet e shtrenjta që ekspozon, vetëm shtojnë dyshimet për lidhje me rrjete kriminale. Ndërkohë, Ministria e Brendshme britanike ka reaguar shkurt: “Shtetasit e huaj që kryejnë krime nuk duhet të kenë asnjë dyshim se ligji do të zbatohet.”
Lini një Përgjigje