
Forcat e RENEA kanë zbarkuar sot në Elbasan, në një operacion blic te tregu Agroushqimor. Mësohet se janë shoqëruar disa persona. Behet fjalë për një treg që është në pronësi të fisit Çela.
Burimet bëjnë me dije se policia ka kryer kontrolle thuajse në të gjithë tregun, me qëllim kapjen e personave në kërkim. Sipas të dhënave, operacioni ka të bëjë me kapjen e Suel Çelës.
Duhet theksuar se në vitin 2017, në një operacion të ngjashëm në këtë treg pati përplasje me policinë.
Përplasja në Tregun Agroushqimor ndodhi në 18 shtator të 2017-së. Në atë kohë policia e Elbasanit kishte informacion për një grup të rrezikshëm që po lëvizte në qytet prandaj organizoi kontrolle. Pikërisht para tregut Agro-Ushqimor Policia ndaloi një Range-Rover ku brenda tij ishin Enea Bekteshi e Kelmend Xhaferri. Uniformat blu të Elbasanit i arrestuan dy të rinjtë për shkak se kundërshtuan punonjësit.
Mirëpo, në momentin që policët po largoheshin, një Audi i blinduar vjen drejt makinave të uniformave blu dhe në këtë moment përplasen me njëra-tjetrën. Sipas Prokurorisë Policia ishte në aksion dhe Audi ka goditur me qëllim makinën e Gjergji Oshafit. Në dosje theksohet se Audin e blinduar e drejtonte Suel Çela i cili më pas u fut brenda Tregu Agro-Ushqimor. Madje pati dhe të shtëna armësh.
Dera e tregut u mbyll dhe Policia nuk mund të hynte dot në brendësi, për shkak se roja nuk e hapi portën. Kur Policia u fut brenda tregut, sipas Prokurorisë, Suel Çela ishte larguar.
Në nëntor 2019, Gjykata e Elbasanit vendosi ta shpallë të pafajshëm Çelën për sulmin ndaj policisë, por me arrestimin e Nuredin Dumanit, pati akuza të reja.
Ai u shpall në kërkim në Maj të 2022 në kuadër të dosjes ‘Plumbi i Artë’. Sipas dëshmisë së Dumanit ai është porositës i tre ngjarjeve 2 të parealizuara dhe një e mbetur në tentativë. Suel Çela akuzohet se ka porositur atentatin e dështuar të 29 marsit 2022, të cilin do ta kryente bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani, i cili mbeti i plagosur rrugës dhe më pas u arrestua.
Lini një Përgjigje