
Një incident i rëndë ka tronditur paraditen e sotme ambientet e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.
Një 42-vjeçar, i dyshuar me probleme të shëndetit mendor, ka qëlluar me pistoletë lodër në drejtim të një mjekeje dhe më pas ka tentuar të largohet me makinë, duke përplasur 3 automjete të Policisë gjatë ndjekjes.
Nga përplasja mbetën të lënduar lehtë dy efektivë të qarkullimit. Policia ka arritur të neutralizojë autorin, ndërsa ngjarja është në hetim nga Prokuroria e Tiranës për zbardhjen e plotë të rrethanave.
"Rrezikoi jetën e punonjësve të Policisë, pasi përplasi 3 automjetet e tyre, me automjetin që drejtonte, gjatë tentativës për t’u larguar nga ambientet e QSUT, pasi kishte qëlluar me pistoletë lodër, një mjeke, kapet 42-vjeçari.
Sekuestrohet sendi me të cilin qëlloi 42-vjeçari.
Rreth orës 09:00, shtetasi E. V., 42 vjeç, dyshohet me probleme të shëndetit mendor, ka qëlluar me pistoletë lodër (me gogla), në drejtim të gjymtyrëve të poshtme, një mjeke të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, dhe ka tentuar të largohet me automjet nga ambientet e kësaj qendre.
Menjëherë pas marrjes dijeni, shërbimet e Policisë i janë vënë në ndjekje këtij shtetasi, kanë mundur ta kapin dhe kanë kryer shoqërimin e tij, në ambientet e Policisë, me qëllim kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Gjatë tentativës për t’u larguar, 42-vjeçari ka përplasur me automjetin që drejtonte, 3 automjete policie. Nga përplasjet u dëmtuan lehtë 2 punonjës policie të qarkullimit rrugor.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, vijon punën për dokumentimin e rrethanave të rastit", njofton policia.
Lini një Përgjigje