Mes personave që janë lëshuar urdhër-arreste janë edhe funksionarë të lartë policie...
Publikohen pamjet e operacionit të sotëm të policisë me urdhër të SPAK. Janë lëshuar rreth 50 urdhër-arreste për bosët e krimit në vend, teksa në pamjet që ka publikuar ministri Taulant Balla, shihet se si RENEA ndërhyn njësoj si në filma.
Ndërkohë mësohet se mes personave që janë lëshuar urdhër-arreste janë edhe funksionarë të lartë policie. Sipas burimeve janë në kërkim Ergert Mitri, i cili më herët ka pasur pozicion si drejtues i Policisë Lezhë, Klodian Jashari, Shef i Sektorit të Hetimi Vlorë dhe Altin Morina, ish efektiv i RENEA.
“Lufta kundër krimit të organizuar falë bashkëpunimit me SPAK dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, si dhe vetëpastrimi i Policisë së Shtetit nga punonjësit e Policisë të lidhur me ta, janë të pandalshme dhe po japin rezultate për rritjen e parametrave të sigurisë në komunitet, krijimin e një trupe policore të denjë dhe me integritet si dhe për rritjen e besimit të qytetarëve tek Policia e Shtetit. Besimi i qytetarëve është elementi kyç që Policia të përmbushë misionin e saj”, shprehet Balla.
Ditën e sotme Policia, FNSH dhe RENEA kanë nisur aksion në disa qytete të vendit që në orët e para të mëngjesit me qëllim kapjen e kokave të krimit në vend.
Aksioni ka si qëllim zbardhjen e ngjarje të vjetra kriminale që kanë tronditur mbarë opinionin publik vitet e fundit, ku protagonistë janë klani Duka, Avdylajt dhe Endrit Dokle që dyshohen si organizator dhe si persona që kanë dijeni për fatin e biznesmenit të lojrave të fatit.
Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej Gushtit të 2022-it, ndërsa Prokuroria e Posaçme ka zbardhur një sërë ekzekutimesh të kryera nga dy klanet rivale.
Operacionet e sotme nga FNSH dhe RENEA po zhvillohen në Tiranë, Vlorë, Lezhë dhe Krujë, ndërsa po ushtrohen kontrolle edhe në banesa.
Hetimet nisën pas transkriptimeve të bisedave përmes kodeve Sky që këta persona përdornin me njëri-tjetrin.
Në shënjestrën e SPAK janë vënë persona të njohur të krimit në vend si Valter dhe Durim Bami, dy vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka, Fatmir Hyseni alias Docja, dy vëllezërit Astrit dhe Altin Avdylaj në Shijak dhe kushëririn e tyre Aldo Avdylaj. Të gjithë këta emra krejt të ndryshëm nga njëri tjetri, i bashkon vetëm diçka: armiku i përbashkët, Ervis Martinaj.
Fatmir Hyseni alias Docja është në kërkim për dy atentate ndaj Inez Hajrulla dhe Santiago Malkos. Mes listës së urdhër arresteve është edhe ish-deputeti i PS, Arben Ndoka, i cili është shpallur në kërkim.
Ndërkohë paraprakisht janë zbardhur ngjarjet: Një ekzekutim i një personazhi të rëndësishëm i botës së krimit në fillim të vitit 2021 në qytetin e Shkodrës; Një vrasje në Shkodër dhe një tentativë vrasjeje ku u përfol emri i Elion Hatos. Është zbardhur po ashtu vrasja në 2021-in në zonën e Astirit e Erigers Mihasit dhe Armando Dumanit; Atentati ndaj Can Karriqit; Zhdukja e disa eksponentëve të krimit; Atentati ndaj Ylli Brahimit, po ashtu ekzekutimi i Brilant Martinajt; Disa atentate dhe në Durrës, ngjarje ku përfshihen Plaurent Dervishaj dhe Endrit Dokle, dy personazhe të njohur të bandës së Durrësit; Janë zbardhur dhe përplasjet mes grupeve kriminale të Niklës dhe Shijakut. Të përfshirë janë grupi i Avdylajve, ku veçohet emri i Astrit Avdylajt. /Pamfleti
Lini një Përgjigje