
Të tjera detaje janë zbardhur lidhur me operacionin e SPAK në kuadër të asaj që njihet si dosja ‘Metamorfoza3’.
Sipas gazetares së News24, Klodiana Lala, ndaj Viktor Ymerit, i njohur si Tori i Xhihanes, dhe Santino Basho, vëllai i Tesi Bashos, janë shtuar akuzat. Ndaj tyre janë shtuar akuzat për atentate. Viktor Ymeri ndodhet në burg për akuza të tjera. Gjithashtu janë shtuar akuzat edhe ndaj Fatmir Hysenit.
Ditën e sotme Policia, FNSH dhe RENEA kanë nisur aksion në disa qytete të vendit që në orët e para të mëngjesit me qëllim kapjen e kokave të krimit në vend.
Aksioni ka si qëllim zbardhjen e ngjarje të vjetra kriminale që kanë tronditur mbarë opinionin publik vitet e fundit, ku protagonistë janë klani Duka, Avdylajt dhe Endrit Dokle që dyshohen si organizator dhe si persona që kanë dijeni për fatin e biznesmenit të lojrave të fatit.
Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej Gushtit të 2022-it, ndërsa Prokuroria e Posaçme ka zbardhur një sërë ekzekutimesh të kryera nga dy klanet rivale.
Operacionet e sotme nga FNSH dhe RENEA po zhvillohen në Tiranë, Vlorë, Lezhë dhe Krujë, ndërsa po ushtrohen kontrolle edhe në banesa.
Hetimet nisën pas transkriptimeve të bisedave përmes kodeve Sky që këta persona përdornin me njëri-tjetrin.
Në shënjestrën e SPAK janë vënë persona të njohur të krimit në vend si Valter dhe Durim Bami, dy vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka, Fatmir Hyseni alias Docja, dy vëllezërit Astrit dhe Altin Avdylaj në Shijak dhe kushëririn e tyre Aldo Avdylaj. Të gjithë këta emra krejt të ndryshëm nga njëri tjetri, i bashkon vetëm diçka: armiku i përbashkët, Ervis Martinaj.
Lini një Përgjigje