Një 52-vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës pasi u kap në automjet me lëndë narkotike.
Mësohet se 52-vjeçari Afrim Meçe, banues në Krujë u kap pasi po qarkullonte me një sasi prej 60 kilogramë kanabis sativa ne automjet, i cili po transportonte lëndën narkotike me qëllim shitje.
Ai u kap në fshatin Luz të Fushë Krujës, me 6 thasë kanabis me vete. Sipas policisë, droga do të shitej në doza të vogla në qytetin e Krujës dhe në Tiranë ndërsa lënda narkotike kapte vlerën e rreth 60 mijë eurove.
Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin dhe 1 celular. Afrim Meçe akuzohet për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Policia po kryen hetime për të identifikuar nëse ka shtetas të tjerë të përfshirë.

"Sekuestrohen 60 kilogramë lëndë narkotike kanabis.
Vihet në pranga 52-vjeçari që u kap në flagrancë në fshatin Luz, duke transportuar me automjet, lëndën narkotike, me qëllim shitjen.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme Operacionale, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara për një rast të shitjes së lëndëve narkotike, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Cargo”, si rezultat i të cilit u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi:
-A. M., 52 vjeç, banues në Krujë.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar në fshatin Luz, Fushë Krujë, automjetin me drejtues shtetasin A. M., në të cilin kanë gjetur 6 thasë me lëndë të dyshuar cannabis sativa, me peshë totale 60 kilogramë.
Nga hetimet dyshohet se lënda narkotike (me vlerë rreth 60 000 euro) do të shitej në doza të vogla në qytetin e Krujës dhe në Tiranë.
Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin dhe 1 celular.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë", njoftoi policia.
Lini një Përgjigje