
Dalin detaje të reja nga ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Vlorë, ku një 41-vjeçar u plagos me thikë. Ky i fundit ndodhet në gjendje të rëndë në spital.
Mësohet se personat janë konfliktuar në brendësi të një lokali në zonë. Sipas burimeve nga spitali, personi i plagosur është goditur disa herë me thikë. Thika e ka kapur në pjesët e këmbës, në bark dhe kraharor.
Nga gjendja e rënduar shëndetësore është futur në sallën e operimit. Personi pas sherrit e ka goditur disa herë dhe është larguar. Ai është shtrire në rrugë për të kërkuar ndihmë më pas.
Autori i dyshuar, Abaz Rohani, është banor në lagjen “Partizani” në Vlorë. Ai rezulton i dënuar dhe me probleme me ligjin për një sërë veprash penale mes tyre posedim mjetesh të kundërligjshme, konflikte dhe plagosje. Abaz Rohani njihet si njeri konfliktual në zonë dhe me rrezikshmëri. Pavarësisht këtij fakti dhe pse ishte në kërkim nga policia për disa ngjarje, siç informojnë banorë në zonë, ishte krejtësisht i lirë. Ngjarja ka ndodhur në një zonë jo më larg se 1 kilometër nga policia e Vlorës.
“Rreth orës 20:27, në lagjen “15 Tetori”, dyshohet se për motive të dobëta, shtetasi A. R., 51 vjeç, person me precedent penal, ka plagosur me mjet prerës (thikë) shtetasin Xh. K., 41 vjeç, banues në lagjen “24 Maji”, dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Shtetasi Xh. K. ndodhet në Spitalin Rajonal Vlorë, nën kujdesin e mjekëve, në gjendje të rënduar shëndetësore.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për kapjen e autorit të dyshuar, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njoftoi policia.
Lini një Përgjigje