
39-vjeçari shqiptar Nardi Idrizi alias Fatbardh Idrizi, nga Vlora është dënuar me 32 vite burg nga Gjykata e Athinës për sulmin ndaj tre të rinjve nga Kreta në dhjetor 2023 në Gazi.
Tre të plagosurit, dy vëllezërit dhe shoku i tyre nga Malia, fatmirësisht kanë shpëtuar nga një tragjedi, pasi autori ka hapur zjarr ndaj tyre, duke i qëlluar drejtpërdrejt në kokë dhe pas shpine. Mësohet se ngjarja ka ndodhur për shkak të një keqkuptimi të parëndësishëm.
Bie në sy se 39-vjeçari shqiptar ishte në kërkim për ngjarjen deri pak para nisjes së gjykimit, kur kishte informacione se ai do të dorëzohej, pas dëmshpërblimit financiar që u dha tre viktimave. Megjithatë, sipas letrës së tyre drejtuar kryetarit të trupit gjykues, dy nga të plagosurit nuk mundën të merrnin pjesë në gjykim për arsye shërimi.
Gjatë procedurës, tre viktimat, edhe pse të kompensuara, nuk kanë qenë të pranishme, duke ua lënë vendimin gjyqësor gjyqtarëve kompetentë.
Perfundimisht, Gjykata me juri të perzier vendosi një dënim total prej 32 vitesh burg për 39-vjeçarin shqiptar, nga të cilat 20 vjet duhet t'i vuajë.
Ngjarja
Dy vëllezër nga Kreta, së bashku me shokun e tyre kishin ardhur për disa orë në Athinë për të festuar festën e beqarisë së njërit prej tyre. Teksa po ecnin në rrugë, ata debatuan me pasagjerët e një fuoristrade. Pak metra më poshtë mjeti ndaloi dhe prej tij zbriti shoferi bashkë me pasagjerin. Pasoi një përleshje dhe një nga personat që ndodhej në fuoristradë hapi zjarr duke plagosur në kokë tre të rinjtë.
Pas ngjarjes policia shpalli në kërkim autorin kryesor, Nardi Idrizi, ndërsa arrestoi shokun e tij Emiljano Jakupi, 35 vjeç. Ky i fundit ishte i shpallur në kërkim edhe si pjesmarrës në vrasjen e 40-vjeçarit nga Delvina, Pëllumb Islami, në 21 shkurt 2023 në “Nea Ionia” të Athinës. Jakupi kishte precedentë penalë për drogë, vjedhje makinash dhe vjedhje banesash.
Nardi Ismet Idrizi, 39 vjeç, lindur në Durrës dhe banues në Vlorë, njihet edhe si Fatbardh Idrizi. Vëllai i tij, Leonard Idrizi ka qenë pjesë e bandës se “Coles” në Vlorë dhe është vrarë. Pas vdekjes, ky ka marre emrin e të vëllait. Në 15.07.2013, Nardi Idrizi është dënuar nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda me 13 vjet e 4 muaj burg për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit Isuf Lamaj, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit Besnik Brahimaj, “Vjedhja me armë” kryer në bashkëpunim, në ngjarjen e datës 23.08.2012 te karburant Alpet, “Mbajtja pa leje e armëve luftarake”, “Vjedhja me dhunë” në dëm të shtetasit Viktor Gjoleka, “Vjedhja me armë” kryer në bashkëpunim, në ngjarjen e datës 11.05.2012 të Kazino Flamingo, “Mbajtja pa leje e armëve luftarake”, “Vjedhja e bankave” kryer në bashkëpunim (në ngjarjen e datës 13.12.2010), “Mbajtja pa leje e armëve luftarake”. Në një episod në 23.08.2012 pas një grabitjeje në Vlorë, Nardi Idrizi ka hapur zjarr ndaj patrullës së policisë ku ndodheshin policët Isuf Lamaj dhe Besnik Brahimaj. Rezulton i arrestuar në Vlorë në gusht 2012. Në vitin 2022 është zbuluar se ky person ka përfituar ulje të paligjshme dënimi në burgun e Fierit gjatë vitit 2020, pasi Prokuroria hetoi një skemë shpërdorimi detyre në këtë burg.
Në prill 2024, Nardi Idrizi u shpall sërish në kërkim nga policia greke si pjesë e një grupi që merrte sende të vjedhura nga grabitës të ndryshëm.
Në shkurt 2024, policia greke arrestoi vëllain e Nardit, Joni Idrizi, pasi kërkohej në Shqipëri për thyerje të masës së sigurisë. Edhe ai rezulton i dënuar më parë në Shqipëri në vitin 2012 për grabitje me armë në banka, kazino e karburante.
Lini një Përgjigje