
Sot shënohet një vit nga atentati i rëndë që më 30 tetor të vitit 2024 tronditi Shkodrën dhe gjithë opinionin publik.
Në pasditen e asaj dite, pranë rrethrrotullimit të “5 Heronjve” në lagjen Dobraç, ndodhi një ngjarje e përgjakshme me katër viktima dhe një të plagosur.
Në automjetin tip “Benz S-Class” me targa kroate udhëtonin Hamza Lici, Arlind Bushati dhe një person ende i paidentifikuar. Ata u qëlluan me breshëri automatiku nga një tjetër makinë në lëvizje.
Lici humbi jetën në vend, ndërsa Bushati u plagos rëndë dhe ndërroi jetë më pas në spital. Personi i tretë arriti të largohej nga vendngjarja.
Por atentati mori edhe jetë të pafajshme. Flutura Basha, një kalimtare që po udhëtonte me bashkëshortin e saj Bashkim Basha me motor, u përfshi në përplasjen e frikshme pas humbjes së kontrollit të automjetit të shënjestruar. Flutura humbi jetën në vend, ndërsa i shoqi mbeti i plagosur rëndë dhe ndërroi jetë pak ditë më vonë.
Një vit më pas, kjo ngjarje e rëndë vijon të mbetet pa autorë. Deri më sot, asnjë person nuk është vënë përpara drejtësisë për masakrën që la pas dhimbje, pasiguri dhe shumë pikëpyetje mbi zinxhirin e ngjarjeve kriminale që kanë goditur Shkodrën vitet e fundit.
Familjarët e viktimave e kujtojnë sot me dhimbje atë pasdite tetori, kur breshëria e plumbave ndali jetën e katër personave dhe la gjurmë të thella në ndërgjegjen e qytetit.
Lini një Përgjigje