TAGS-AT E JAVËS

Kronike27 Tetor 2024, 08:50

Një nga emrat më të njohur të botës së krimit në Nikël, arrestohet për herë të dytë në Dubai Durim Bami

Shkruar nga Pamfleti

Një nga emrat më të njohur të botës së krimit

Informacionet për arsyen e arrestimit të Bamit në Dubai, po mbahen tepër diskrete nga Policia e Shtetit dhe prokuroria e posaçme SPAK, të cilat nuk japin asnjë koment.

Një nga personazhet më të njohur të botës së krimit në Shqipëri, Durim Bami, është arrestuar për të dytën herë në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ndalimi i Durim Bamit është kryer në datën 21 Tetor 2024, fiks në ditën kur në Tiranë u prangos ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.

Gazetari i “Ora News” Elton Qyno, ka mësuar se Durim Bami është ndaluar nga policia e Dubait dhe po bën 5 ditë që mbahet i izoluar.

Nuk dihet me saktësi se cilat janë rrethanat që kanë shtyrë arrestimin e tij për herë të dytë nga policia e Emirateve.

Informacionet për arsyen e arrestimit të Bamit në Dubai, po mbahen tepër diskrete nga Policia e Shtetit dhe prokuroria e posaçme SPAK, të cilat nuk japin asnjë koment.

Kjo është hera e dytë që Durim Bami, arrestohet nga policia e Dubait.

Herën e parë ai u ndalua për llogari të SPAK-ut në muajin qershor 2024, pasi prokurorët e posaçëm, kishin lëshuar në muajin maj një mandat arresti si i përfshirë në kultivimin e parcelave të drogës në zonën e Fushë-Krujës, sigurimin e kushteve për të vrarë ish-deputetin e PS-së në Lezhë, Arben Ndoka, si dhe sigurimin e kushteve për të vrarë dy miqtë e Ervis Martinajt, Erigers Mihasin dhe Hektor alias Tori Xheçuka.

Por për këtë arrestim, Durim Bami, mundi të lirohej nga gjykata e Dubait.

Ndërsa arrestimi i dytë i Bamit është kryer në 21 Tetor dhe ende nuk dihet me saktësi nëse ndaj Durim Bamit është lëshuar një masë sigurimi e dytë “arrest me burg” nga SPAK, që detyroi policinë e Dubait të rivihet në lëvizje për të arrestuar për herë të dytë, Durim Bamin.

Tashmë Bami mund të jetë në procedurat e një ekstradimi të mundshëm, apo riatdhesimi të menjëhershëm, siç ndodhi me rastin e Plaurent Dervishajt dhe Julian Meçajt, dy njerëzve të grupit të Durrësit të akuzuar për atentatin ndaj Landi Muharremit dhe prokurorit, Arjan Ndoja.

Kush është Durim Bami, i njohur ndryshe si i ‘forti i Niklës’?

Durim Bami akuzohet për “kallëzim të rremë” në të njëjtën dosje ku janë të pandehur edhe deputeti Tom Doshi dhe ish-deputeti, Mark Frroku.

I pandehuri Bami, u arrestua në 2 Mars 2015 në pikën e kalimit kufitar të Hanit të Hotit, në rrethin e Malësisë së Madhe. Shkak u bënë deklaratat publike të deputetit Tom Doshi, se Bami ishte “rekrutuar” për eliminimin fizik të tij dhe të deputetit tjetër Mhill Fufi. Pas arrestimit ai mohoi të kishte marrë porosi për vrasjen dhe pretendoi se ishte kërcënuar nga deputeti për t’u regjistruar duke folur për “skenarin” e eliminimit të tij.

Bami, 45 vjeç, akuzohet gjithashtu për organizimin dhe porositjen e vrasjes së mbetur në tentativë të ish-deputetit socialist Arben Ndoka, pasi ky i fundit organizoi një atentat ndaj tij në nëntor të vitit 2020.

SPAK goditi shtatë grupe kriminale dhe ngriti akuza kundrejt pesëdhjetë të dyshuarve në maj të këtij viti, një nga goditjet më të gjera kundër strukturave të krimit të organizuar në vend, të cilat shtrinin aktivitetin e tyre në një pjesë të madhe të territorit, nga Shkodra në Lezhë, Mamurras, Fushë-Krujë, Rrëshen, Burrel, Tiranë, Shijak, Durrës, Fier e Vlorë, duke zbardhur tetëmbëdhjetë episode kriminale, hetim që u mundësua falë ndihmës së vendeve partnere si dhe institucioneve Eurojust dhe Europol.

Sipas dosjes, e cila përfshin aktivitete kriminale prej pak më shumë se një vit nga fillimi i vitit 2020 deri në fillimin e vitit 2021, Bami u vu nën shënjestër për t’u ekzekutuar nga Arben Ndoka, për shkak se Ndoka dyshonte se ishte organizator i vrasjes së vëllait të tij Aleksandër Ndoka. Atentati ndaj Bamit në nëntor 2020 dështoi, gjë që solli plane nga ana e Bamit për të vrarë Arben Ndokën.

Në dosjen e shtatë bandave, Bami paraqitet si një biznesmen i fuqishëm, i cili porosit dhe organizon vrasje, kultivon kanabis në sasi të stërmëdha dhe në një territor të gjerë nga bregdeti i Adriatikut deri në malësinë e Krujës si dhe korrupton policë të ndryshëm për çështje nga më të ndryshmet, nga lejimi i muzikës së lartë për lokalin e tij të parapëlqyer në Tiranë te mosraportimi i krimeve apo vonesa e inspektimeve kundër kultivimit të drogës.

Lini një Përgjigje