
E kaluara e vëllait të 38-vjeçarit Fatjon Dervishi të vrarë në Sukth mesnatën e kaluar është një nga pistat ku po heton policia e Durrësit.
Mësohet se vetë viktima kishte pak ditë që ishte kthyer nga Holanda, teksa nuk përjashtohen dhe dyshimet se ishte i lidhur me trafikun e drogës.
Por emri i vëllait të tij, Fatbardh Dervishi alias Fatbardh Doda, del në disa ngjarje kriminale. Fatbardh Dervishi dyshohet për plagosjen e një 23-vjeçareje si dhe zhdukjen e Tauland Malshit.
Ai është arrestuar nën akuzën e vjedhjes së automjeteve, falsifikimit të dokumenteve, armëmbajtjes pa leje, trafik droge, grup kriminal. Sipas mediave spanjolle, grupi i kryesuar nga ai, maskohej me uniformë policie dhe kryente gjithashtu grabitje të shtëpive që shërbenin si magazina droge.
Por veç këtyre, Dervishi akuzohet në Shqipëri se në 3 janar 2022, plagosi me armë në një hotel në autostradën Tiranë-Durrës 23-vjeçaren E. Koroveshi.
Ndërkohë disa ditë më vonë, në emisionin “Në Shënjestër” Dervishi u akuzua nga Liza Malshi, nëna e të zhdukurit në vitin 2018 në Spanjë Tauland Malshi, se kishte gisht në zhdukjen e këtij të fundit.
Nëna e të riut tregoi se ishte telefonuar nga shoku i tij Edmir Vlashi i cili i kishte thënë se më 25 gusht 2018, ishte telefonuar nga Fatbardh Doda dhe se Fatbardhi i kishte thënë Edmirit: “Mos e kërko më shokun tënd pasi unë kam kry punë me të dhe e kam hedhur në mes të detit në Malaga”.
Lini një Përgjigje