
Policia greke ka arrestuar tetë persona, përfshirë katër efektivë policie dhe katër shtetas shqiptarë, të dyshuar si anëtarë të një grupi kriminal që shpërndante drogë në Mykonos.
Grupi, i udhëhequr nga një oficer 42-vjeçar grek, rihidhte në treg lëndë narkotike të sekuestruara nga policia, duke bashkëpunuar me anëtarë të mafias greke dhe duke i informuar ata për kontrollet policore. Kreu i grupit, i pezulluar nga detyra që nga 14 janari 2025 për mashtrim, drejtonte operacionet bashkë me “krahun e djathtë”, një oficer 31-vjeçar që kishte shërbyer në Departamentin e Narkotikëve të Athinës Juglindore.
Dy shefa policie të tjerë, një 35-vjeçar nga Nëndrejtoria e Mykonos dhe një 43-vjeçar nga Departamenti i Akarnasit, ishin gjithashtu të përfshirë. Ndër bashkëpunëtorët civilë ishin një 24-vjeçar shqiptar, motra e tij 29-vjeçare (partnere e kreut të grupit), dhe dy shtetas të tjerë shqiptarë.
Hetimet zbuluan transaksione bankare me vlerë rreth 5 milionë euro në llogaritë e 42-vjeçarit dhe partneres së tij. Grupi komunikonte përmes aplikacioneve online dhe dyshohet se ka lidhje me raste të tjera kriminale, përfshirë informimin e biznesmenëve për kontrollet policore.
Në dosje përfshihen edhe 13 të dyshuar të tjerë, mes tyre një shef policie nga Pydna-Kolindros dhe tre individë me precedentë të rëndë kriminalë, të lidhur me një dosje të madhe për vrasjen e katër anëtarëve të mafias greke të cigareve, të drejtuar nga i shumëkërkuari “Entik” që fshihet në Dubai.
Arrestimi i 42-vjeçarit nisi më 23 tetor 2024 për mashtrim, kur u konfiskua telefoni i tij, duke zbuluar komunikime që konfirmuan rolin e tij në trafikimin e drogës dhe lidhjet me mafian greke. Autoritetet vazhdojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrjetin kriminal.
Lini një Përgjigje