
Një shpërndarës droge u arrestua teksa u kap me një sasi kokaine me vlerë mbi 40 mijë paund në qendër të qytetit të Brighton në Angli.
Albert Nedelcu nga Rumania u ndal nga policia pasi e pikasën të riun duke këmbyer ngarkesën e kokainës me një çantë me rreth 25 mijë paund në Church Road, Hove.
Ai ishte pjesë e një bande shqiptare, ku 4 persona të tjerë u dënuan të hënën. Një prej tyre ishte dëbuar dy herë nga Britania e Madhe.
U sekuestruan në total 42,000 £ kokainë, si dhe 30,000 £ cash, pasi policia bastisi dy banesa në Palmeira Avenue Mansions në Brighton.
Nedelcu kishte shkëmbyer kokainën me shqiptarin Andi Dema, 35 vjeç, i cili më herët ishte dëbuar dy herë nga Britania në vitin 2021 dhe 2016, por sipas avokatëve të tij ai u vu nën “presion të nga njerëzit në Shqipëri për t’u kthyer” për të paguar borxhet e tij.
Dema tha se kishte rreth 80 mijë paund borxh ndaj disa njerëzve në Shqipëri, ndërsa para gjykatës tha se u përfshi në tregtimin e drogës tre vjet më parë për shkak të borxheve që grumbulloi.
“Atij iu tha se e vetmja mënyrë se si mund të rriste shumën e fituar (për të shlyer borxhin e tij) ishte duke shpërndarë drogë. Ai është i shqetësuar për sigurinë e tij, gruan dhe djalin e tij nëntë vjeçar”, tha avokati i tij.
Një pjesëtar tjetër i bandës, Ridison Nega, 25 vjeç, u pa gjithashtu gjatë shkëmbimit të kokainës me paratë, teksa raportohet se ishte ai që vuri re se policia kishte pikasur pjesëtarët e bandës, ndaj edhe kishte hedhur mjetin e tij të identifikimit në kosh.
Një tjetër i ri shqiptar përfundoi në pranga, pasi ai u kap gjatë një prej kontrolleve të ushtruara nga efektivët e policisë në një nga banesat në Palmeira Avenue Mansions.
Mësohet se avokati i 20-vjeçarit Xhenaro Shehu i tha gjykatës se i riu kishte mbërritur në Britani për të ndihmuar familjen e tij në Shqipëri.
Dema, i cili kishte dy dënime të mëparshme për drogë, u dënua me pesë vjet e gjysmë burg, Nega dhe Nedelcu u dënuan të dy me katër vjet e gjysmë, ndërsa Shehu u dënua me dy vjet e katër muaj burg.



Lini një Përgjigje