Një shtetas shqiptar me precedentë penal dhe partnerja e tij janë arrestuar ditën e premte nga policia greke nën akuzën e trafikut të armëve.
Armiol Rrasa nga fshati Gradishtë i Divjakës dhe Daniela Luari u arrestuan në flagrancë në rrugën “Sokratous” në Athinë, pasi në makinën e tyre u gjet një sasi e madhe armatimi, ku përfshihej dhe lëndë plasëse.
Në automjetin me të cilin udhëtonin shqiptarët u gjet një armë zjarri pistolete TT dhe një sasi lënde eksplozive tritol me dy ndezës.
Armiol Rrasa është person me precedentë penalë.
Në Greqi, ai rezulton i dënuar me burg për trafik droge në vitin 2008 dhe është liruar në vitin 2015.
Policia greke po vijon hetimet për veprimtarinë kriminale të çiftit shqiptar, ndërsa nuk dihet arsyeja e mbajtjes së armës dhe tritolit në makinë.
Daniela Luari rezulton pa precedentë penale në Greqi. Ajo rezulton e ndaluar vetëm një herë për mungesë të lejes për shërbim.
Dy të arrestuarit u dërguan në Drejtorinë e Policisë, ndërsa autoritetet po hetojnë për origjinën dhe destinacionin e sendeve të sekuestruara. Automjeti me të cilin udhëtonin i përkiste një kompanie leasing.
Të dhënat për të shkuarën e 38-vjeçarit po shkaktojnë shqetësim të madh, pasi duket se ai nuk kishte hequr dorë asnjëherë nga lidhja me botën e krimit.
Lini një Përgjigje