
Policia ka publikuar pamjet e operacionit antikanabis i koduar “Territor i pastër”. Në Peqin u zbulua një magazinë e përshtatur për kultivim të cannabisit, me anë të llambave.
Siç shihet edhe në video, në ambientet e magazinës policia ka gjetur të gjitha pajisjet e nevojshme për prodhimin dhe kultivimin e kanabisit. Pajisjet furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Në pranga ka rënë pronari i magazinës Graciano Kosta, 37 vjeç, banues në Peqin. Ndaj tij rëndojnë akuzat për veprat penale "Kultivimi i bimëve narkotike", "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" dhe "Vjedhja e energjisë elektrike ose e impulseve telefonike".
Po ashtu është arrestuar edhe drejtori i OSHEE në Peqin 33-vjeçari Elvis Maçi, i cili akuzohet për veprat penale "Shpërdorimi i detyrës" dhe "Moskallëzimi i krimit".
Në hetim në gjendje të lirë janë vendosur elektricist i OSHEE, M.P., 60 vjeç, dhe faturisti A.K., 33 vjeç. Ndaj tyre rëndon akuza për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Lini një Përgjigje