Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi arrestin në burg për Plarent Dervishaj, nën akuzë për vrasjen e Vajdin Lamajt, Artan Arsit dhe Klodjan Saliut.
Më 15 gusht, pas ekstradimit nga Dubai, Dervishajt iu komunikua masa e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për vrasjet e Klodian Saliut dhe Vajdin Lames, krime të ndodhura në vitin 2005, si edhe për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj në vitin 2019.
"Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Florjan Kalaja (kryesues), Iliriana Olldashi (anëtare) dhe Miliana Muça (anëtare), sot më 17.09.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 188 akti, datë 11.09.2024 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e të pandehurit/ankues P.D., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 103, datë 16.08.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (disponuar mbi kërkesën për ndryshim mase sigurimi)”, dhe vendosi:
Miratimin e vendimit nr. 103, datë 16.08.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar", njofton SPAK.
Kush është Plarent Dervishaj?
Plarent Dervishaj, i njohur si kunati i ish-kreut të “Bandës së Durrësit”, Lulzim Berisha, është një nga të akuzuarit e SPAK për atentatin e ndodhur ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj, në vendin e quajtur mbikalimi i Shkozetit përgjatë autostradës Tiranë-Durrës.
Tentativa e dështuar për të vrarë prokurorin Ndoj, i cili udhëtonte në makinë me të fortin e Sukthit, Aleksandër Laho (alias Pëllumb Muharremi), i njohur si 'Rrumi i Shijakut', ndodhi më 1 nëntor të vitit 2019. Në këtë atentat mbeti i vdekur shoferi i prokurorit, Andi Maloku.
SPAK arriti të zbardhë këtë ngjarje pas mbërritjes nga Franca të komunikimeve në aplikacionin “SkyECC” dhe pas finalizimit të hetimeve çoi në gjyq si të pandehur 9 persona.
Ata akuzohen si anëtarë të një grupi të kriminal që ndër vite ka planifikuar të paktën 3 herë vrasjen e Arjan Ndojës, i cili mbante asokohe postin e prokurorit në Prokurorinë e Durrësit.
Në grupin e personave të akuzuar bëjnë pjesë të dënuarit Redian Rraja dhe Arjol Halilaj, ndërsa Plaurent Dervishaj akuzohet si porositësi i atentatit së bashku me Ramazan Rrajan, nipin e ish-deputetit socialist Rrahman Rraja.
Si u vra Vajdin Lame?
Presidenti i Federatës së Boksit Vajdin Lame dhe mikut të tij, Artan Arsi, u vranë më 27.02.2005, rreth orës 24.00 në njërën nga kullat mbrapa stadiumit “Qemal Stafa”. Dy viktimat janë përballur me një sasi të konsiderueshme eksplozivi porsa kanë vënë këmbë në ashensor. Tritoli ishte i pajisur me telekomandë dhe qe vendosur në një nga anët e ashensorit, duke realizuar shpërthimin në katin e pestë të kullës, ku dhe banonte Lame. Presidenti i Federatës së Boksit ka vdekur në vend, ndërsa Arsi gjatë rrugës për në spital.
Si u vra Klodian Saliu?
Klodian Saliu, anëtar i bandës famëkeqe të Durrësit, u vra me 26 shkurt të vitit 2005. Në vitin 2003, si pasojë e kontradiktave të brendshme, organizata u nda në dy të tjera, të kryesuara respektivisht nga Lulzim Berisha dhe Klodian Saliu. Të dyja këto organizata u kthyen në rivale të njëra- tjetrës duke filluar një luftë ndërmjet tyre. Shpallja në kërkim e Dervishajt u bë pas rrëfimit të Luftar Reçit.
Lini një Përgjigje