Policia e Lushnjës ka shoqëruar mbi 30 persona për atentatin ndaj Julian Sulës, i njohur si Juli i Pashakos.
Pjesa më e madhe e tyre janë anëtarë të grupit të Aldo Bares dhe fisit Aliçka në Lushnjë, pjesëtarë të 2 fiseve të cilët vitet e fundit kanë pasur konflikte të shumta me 45-vjeçarin Sulo. Pas marrjes në pyetje janë liruar, pasi kanë mohuar përfshirjen në ngjarje.
Është zbuluar se makina e autorëve është vjedhur në vitin 2022 në Greqi, ndërsa po atje targat një vit më parë, por në qytete të ndryshme greke. Autoritetet greke në kthim përgjigje i kanë pohuar Policisë së Fierit, se janë vjedhje pa autorë dhe të pazbardhura. Përveç dinamikës së ngjarjes, policia nuk ka të qartë mënyrën se si dhe nga janë larguar autorët. Pasi dogjën makinën në fshatin Lifaj, dyshimet e grupit hetimor janë se ata mund të jenë larguar me një tjetër automjet, nëpër disa fshtra që të çojnë drejt Kuçovës dhe Beratit, por për shkak se e gjithë zona ku mendohet të kenë kaluar autorët janë toka bujqësore dhe pa biznese, në këto kushte nuk ka ka kamera të kenë filmuar lëvizje të makinës së autorëve.
Kush është Juli i Pashakos?
Julian Sulo, i njohur ndryshe edhe si Juli i Pashakos, ishte shënjestër e një atentati në Lushnjë. Sulo, i cili mbeti i plagosur në këmbë, nuk është një emër i panjohur për blutë. Sulo ka qenë i dyshuar edhe për atentatin e organizuar ndaj nipit të Bares, Xhulio Shkurti, i cili shpëtoi atentatit në 2017-ën. Sulo u la i lirë pasi nuk kishte asnjë provë që e lidhte me atentatin, që njihet ndryshe edhe si masakra e Lushnjës. Për këtë ngjarje, janë dënuar me burg të përjetshëm, Anterio Kaloshi dhe Orgest Bilbili, vendim i lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Lartë më 21 nëntor 2025. Në masakrën e Lushnjës u vranë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, si dhe u plagosën Bujar Turkut dhe Marius Xhepexhiut.
Kjo nuk është hera e parë që Sulos i bëhet një atentat. Më 11 qershor 2016, atij iu bë atentat pas ndeshjes Shqipëri-Zvicër në një pikë bastesh nga Arjan Aliço, anëtar i bandës së Aldo Bares, i njohur si “Arti i Braçes”.
Më 18 mars 2018, Sulo është arrestuar nga forcat speciale në Lushnjë pasi nuk iu bind postobllokut të policisë për të ndaluar, ndërsa në makinë ju gjet një pistoletë me fishekë. Ai rezulton i dënuar edhe për veprimtari kriminale në fushën e lëndëve narkotike dhe krimeve ndaj personit.
Më 13 qershor 2023, Sulo, me vendim të Apelit të Vlorës, i janë konfiskuar disa pasuri që dyshohet se i kishte vënë përmes aktivitetit kriminal. Atij ju sekuestrua një apartament me vlerë 120 mijë euro, një mjet luksoz "Porsche Cayanne" dhe 70 mijë euro.
Si ndodhi atentati në Lushnje?
Ndaj rivalit të Aldo Bares u qëllua me breshëri plumbash teksa po lëvizte me makinën tip “BMW” në afërsi të spitalit të qytetit, por arriti të shpëtonte pasi u plagos vetëm në këmbë.
Ende nuk ka asnjë detaj për atentatorët e 45-vjeçarit, ndërsa policia ka sekuestruar kamerat e disa bizneseve, të cilat kanë fokusuar momentin e gjuajtjes me armë. Sipas policisë, dy persona, me maskë të zezë në fytyrë dhe me kapele, kanë dalë nga makina, të cilën e kanë parkuar në kthesën e rrugës “Misto Mame".
Sapo kanë parë BMW-në e zezë të Sulos që hyri në këtë rrugë, kanë zbritur nga mjeti dhe kanë gjuajtur drejt tij, njëri me kallashnikov dhe tjetri me pistoletë. Dalja e tyre ka qenë me vonesë pasi makina e shënjestrës ka kaluar me shpejtësi. Dyshohet se 45-vjeçari i ka parë atentatorët dhe ka shtuar shpejtësinë e makinës, duke iu shpëtuar mrekullisht plumbave. Atentati ka zgjatur vetëm 10 sekonda. 6 plumba kanë prekur makinën, dhe vetëm 1 e ka prekur Sulon në këmbë. Më pas autorët janë larguar e kanë djegur makinën dhe armët në fshatin Lifaj.
Sulo në fillim ka shkuar në lokalin e tij në Karbunarë dhe më pas në shtëpi. Ka qëndruar për disa minuta dhe më pas ka shkuar të mjekonte këmbën në spital. Deri më tani policia ka shoqëruar dhe marrë në pyetje 18 persona në lidhje me ngjarjen por edhe të afërm të 45-vjeçarit.
Pistat ku po hetohen janë disa duke nisur nga e kaluara e Julian Sulës në vitin 1997 e deri më sot, si lidhjet e tij me trafikun e narkotikëve, dhe bizneset. Sulo lëvizte prej 2 vitesh lirëm në Lushnje, madje edhe në këmbë. Mjetet që ai përdorte ishin herë të blinduara dhe herë jo.
Lini një Përgjigje