Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Durrësit në orët e para të mëngjesit të kësaj të mërkure, 22 tetor, ku dy persona kanë mbetur të vrarë me armë zjarri. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:45, pranë një karburanti në zonën e Manzës. Viktimat janë dy të rinj, Aranit Kurti, 23-vjeç dhe Flori Paluçi, 33 vjeç.
Sipas burimeve paraprake nga hetimi, gjithçka ka nisur kur njëri prej viktimave, së bashku me një person tjetër, kanë hyrë në lokal dhe i kanë kërkuar kamerierit që t’u përgatiste kafe. Ky i fundit u ka shpjeguar se ekspresi i kafes ishte i fikur, gjë që ka shkaktuar një debat verbal mes tyre.
Situata është përshkallëzuar shpejt, pasi në konflikt është përfshirë edhe një person tjetër që ndodhej në lokal. Më pas ka ndodhur përplasja me armë zjarri.
Nga të dhënat e para hetimore dyshohet se Flori Paluçi ka qëlluar me armë ndaj Aranit Kurtit, duke e lënë të vdekur në vend. Menjëherë pas kësaj, 21-vjeçari D. P., i pranishëm në lokal, ka qëlluar për vdekje Flori Paluçin.
Kamerieri, ndonëse u përfshi në konfliktin verbal fillestar, nuk ka mbetur as i plagosur dhe as viktimë në këtë ngjarje.
21-vjeçari D. P. është shpallur në kërkim nga policia, e cila ka ngritur pika kontrolli dhe po kryen operacione intensive për kapjen e tij. Grupi hetimor, nën drejtimin e prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.
“Rreth orës 01:45 të datës 22.10.2025, në Manëz, pranë një karburanti, pas një konflikti dyshohet për motive të dobëta, kanë mbetur të vrarë me armë zjarri shtetasit A. K., 23 vjeç, dhe F. P., 33 vjeç, të dy banues në Manëz.”, thuhet në njoftimin e uniformave blu.
Hetimet e para të kryera nga grupi i posaçëm hetimor sugjerojnë se F. P. është vrarë nga shtetasi D. P., 21 vjeç, ndërsa A. K. dyshohet se është qëlluar nga vetë F. P. gjatë përplasjes.
Shërbimet e Policisë kanë njoftuar se po kryejnë kontrolle intensive në zonë për kapjen e të dyshuarit me inicialet D. P., i cili është shpallur në kërkim. Ndërkohë, një grup i posaçëm hetimor, po vijon punën në vendngjarje për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, për të identifikuar çdo person tjetër të mundshëm të përfshirë dhe për të administruar provat që do të çojnë në dokumentimin ligjor të rastit.
Lini një Përgjigje