
GJKKO ka lënë në burg ish-drejtorin e ARRSH Evis Berberi, i arrestuar për abuzime me tenderët. Ky i fundit ka kërkuar lirim nga burgu, por GJKKO ka vendosur që të mbetet në qeli.
Nga hetimet ka rezultuar se Berberi është i përfshirë në 6 tenderë që SPAK pretendon se janë dhënë në mënyrë abuzive, 3 në kohën që ishte drejtor i Eficencës së Energjisë dhe 3 si drejtor i ARRSH. Totali i tenderave kap një vlerë prej rreth 2.2 milionë euro.
Përveç Berberit në pranga janë vënë edhe Valter Begaj dhe Ervis Lami, administratorë të kompanisë DAAM që dyshohet se kanë përfituar tenderët në mënyrë abuzivë. Referuar hetimeve rezulton se Berberi ka qenë administrator i kësaj kompanie, ndërsa ka dhënë dorëheqjen në shkurt të 2019-tës.
SPAK ka dyshime se shumat Berberi fillimisht si Drejtor i Efiçencës së Energjisë ka zhvilluar tre procedura prokurimi me vlerë rreth 1.2 milionë euro që janë fituar nga kompania DAAM që drejtohej nga Valter Begaj, por që defakto sipas SPAK, kompania zotërohej prej Berberit. Po kështu SPAK dyshon se në kohën që Berberi drejtonte ARSH, e njëjta kompani ka fituar tre tenderë të tjerë më vlerë rreth 1 milionë euro
Njoftimi i GJKKO
Kërkuesi Evis Berberi më datë 14.06.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dhënie informacioni në lidhje me hetimet e kryera për çështjen penale në ngarkim të personit në hetim Evis Berberi për procedimin penal me nr.214/2023”.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Elsa Ulliri, bazuar në nenet 246/6 dhe 260 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 370, datë 30.07.2024, vendosi:
Verifikimin dhe marrjen e informacionit nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbi hetimet e kryera dhe nevojat e sigurimit për rastin objekt gjykimi.
Vazhdimin e masës së sigurimit “Arresti në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, të caktuar ndaj shtetasit Evis Berberi me anë të vendimit Nr.21, datë 13.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, miratuar nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me anë të vendimit Nr.16, datë 25.04.2024.
Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të palës kërkuese.
Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit.
Lini një Përgjigje